Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, Ajola Xoxa ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për kontrollin e ushtruar nga agjentët e BKH-së pak ditë më parë në qendrën ‘Harabel’. Ankimim ka bërë edhe vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj.
Ndërkohë mësohet se avokati mbrojtës i Xoxës dorëzoi ankimin në Apelin e Posaçëm. Të dy avokatët deklarojnë që kontrollet janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.
Ditën e premten me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa "veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal".
Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë "5D", që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.
Veliaj reagoi në mbrëmje të premten duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd