Berlin- Gjermania ka riafirmuar angazhimin e saj për një tranzicion paqësor në Siri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të vendit dhe të procesit të dialogut të brendshëm.
Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, deklaroi nga Berlini se Gjermania do të ofrojë ndihmë humanitare shtesë prej 8 milionë eurosh për të mbështetur përpjekjet në terren.
Baerbock nënvizoi se, pavarësisht momenteve të shpresës, situata në Siri mbetet e brishtë dhe e pasigurt. Ajo bëri thirrje për ruajtjen e procesit të dialogut të brendshëm nga ndërhyrjet e jashtme dhe për bashkëpunim ndërkombëtar në çështjen e refugjatëve sirianë. Sipas ministres, kthimi i tyre duhet të jetë një proces i mirëkoordinuar dhe i sigurt, me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe të Kombeve të Bashkuara.
Gjermania ka pasur marrëdhënie të ndërprera diplomatike me Sirinë që nga viti 2012, për shkak të luftës civile dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi i Bashar al-Asadit. Ndërkohë, kontaktet diplomatike janë kryer përmes ambasadës gjermane në Liban.
Baerbock nuk përjashtoi mundësinë e një rihapjeje të ambasadës gjermane në Damask në të ardhmen, nëse krijohen kushtet për një dialog të drejtpërdrejtë dhe përmirësim të situatës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd