DURRËS- Vdekja e papritur e një 62 vjeçareje para një muaji bëri që familjarët të hedhin akuza ndaj bluzave të bardha në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ata shprehen se mjekët nuk i kanë dhënë nënës së tyre kujdesin e duhur duke i akuzuar për neglizhencë.
Eljana Koçi tregoi se e ëma kishte shenja infarkti dhe iu drejtuan Spitalit të Durrësit me shenja të qarta, por në fakt nuk u veprua në kohë. Mosveprimi në kohë nga ana e bluzave të bardha bëri që 62 vjeçarja të ndërronte jetë.
“Mjeku i urgjencës thotë se e mori specialisten që të shkonte ta shihte mamin, specialistja thotë s’më mori. Nga ora 07:00 deri në orën 12:00 mami u mbajt në urgjencë me morfinë, pastaj u nis për Tiranë. E gjithë vonesa solli vdekjen e saj” thotë Eljana.
Fiksi solli me zë dhe figurë përballjen e mjekut të urgjencës Durrës me mjeken specialiste, ku fajësonin njëri- tjetrin. Ku mjeku i urgjencës i drejtohej kardiologes se e kishte njoftuar, ndërkohë që kardiologia e mohonte të ishte njoftuar nga kolegu i saj.
“Unë s’jam budallaqe të mos zbres te pacientja” thotë kardiologia. Në bisedë e sipër bashkë edhe me vajzën e të ndjerës mjeku i urgjencës Albion Kazazi shprehet ”Njerëzit më duken si miza , secili të mbaj fajin dhe përgjegjësinë që ka, unë nuk e rruaj fare”.
Në bisedën që u transmetua në emisionin Fiks Fare të dy mjekët pranojnë se bëjnë ping-pong për fajtorin, duke harruar që bëhet fjalë për humbjen e një jete./ Top Channel
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd