BRUKSEL- Kryediplomatja e re e BE-së, Kaja Kallas diskutoi me liderët e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrë. Ishte takimi i parë i Kallas me Kurtin dhe Vuçiçin. Kryediplomatja e re e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha, se rruga e vetme për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në BE është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve në bazë të marrëveshjes së Ohrit. Kallas që pasoi në këtë post spanjollin Josep Borrell zhvilloi në Bruksel takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë, ku u fol edhe për sulmin e një viti më parë në Banjska të veriut të Kosovës dhe shpërthimin e pesë ditëve më parë në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Takimi i Kallas me Kurti dhe Vuçiçin nuk ishte në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialog ky që tash e disa vite ndërmjetësohet nga BE-ja. "I takova presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Kallas, duke ju referuar shpërthimit të fundit në kanalin Ibër Lepec në veri të Kosovës. Sipas shefes së re të diplomacisë evropiane, ajo do të punojë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, siç tha, "në mënyrë që të mund të ecim përpara në një rrugë me procesin e zgjerimit.
"Është në dobi të BE-së dhe këtyre vendeve. Dhe rruga tjetër është të përpiqemi të ulim realisht tensionet ekzistuese, në mënyrë që të mund të ecim përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku edhe unë jam e gatshme të investoj kohën time”, shkroi Kallas.
Vuçiç: Patëm bisedë të hapur e të vështirë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga ana e tij tha se ka pasur një "bisedë të hapur dhe të vështirë” me kryediplomaten e re evropiane. "Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë i jam përgjigjur në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, shkroi Presidenti Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq, tha se me Kaja Kallas ka folur për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, duke kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe nënshkrimin e saj nga ana e Serbisë. Kurti tha se e ka njoftuar zonjën Kallas për hetimet lidhur me sulmin në Zubin Potok dhe e ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, tek autoritet kosovare. Millan Radojçiq me grupin e tij është përgjegjës për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit të shkuar në Banjskë të Zveçanit ku u vra një rreshter i policisë së Kosovës.
Marrëveshja e Ohrit ende në pritje
Marrëveshja e Ohrit që përmban 11 nene për të cilin Kurti insiston që të nënshkruhet nga Serbia, mes të tjerave parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore Kosovë-Serbi, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnëtë gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut ndërmjet dy vendeve.
Udhëheqësit e të dyja vendeve të Kosovës dhe Serbisë së bashku edhe me udhëheqësit e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor takuan edhe presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Ky i fundit darkoi së bashku me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, para takimit të nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që pritet të mbahet 18 dhjetor në Bruksel./DW
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd