Tiranë – Vrasja e 50 vjeçarit Alfred Dedja në mes të një lokali në Ndroq, pasoi arratinë e të dyshuarit.
Ai u identifikua si Julian Gjoshi 26 vjeç. Pas krimit, i dyshuari mori arratinë. Por 24 orë më vonë, ai u dorëzua vetë në polici.
Në lidhje me vetëdorëzimin e të dyshuarit, policia e Tiranës tha mbrëmjen e së hënës se pas vrasjes së të dielës 1 dhjetor ora 15.30, Julian Gjoshit iu bllokuan shtigjet.
Pas veprimeve të policisë Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, u bë gjetja dhe bllokimi i automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori.
Po ashtu u bë bllokimi i rrugëkalimeve dhe, në pamundësi për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në polici.
Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin dhe sekuestrimin e provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në Tiranë, kanë punuar me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së Shtetit.
Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor. Ende mbeten të paqarta motivet e vrasjes.
SPAK: Alfred Dedja nuk është i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur poshtë deklaratat që e lidhin Alfred Dedjan, i cili u vra mbrëmjen e së dielës (1 dhjetor) në Ndroq, me një ngjarje që daton në vitin 2020, e që po hetohet nga SPAK.
Sipas SPAK, deklaratat në media janë të pavërteta, ndërsa shton se Alfred Dedja, nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prengës.
“Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr. 60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, Alfred Dedja nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020”, njofton SPAK.
SPAK nënvizon se emri i tij nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden”, në Shijak, pronë e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.
“I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “Arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njofton SPAK.
Sipas SPAK “në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen, ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden””.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të Policisë, si organi përgjegjës për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.
Në foto: Alfred Dedja (majtas) dhe autori i dyshuar i vrasjes, Julian Gjoshi (djathtas)
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd