Transmetuar më 03-12-2024, 07:58

Afati për shqyrtimin e aplikimeve për ish-pronarët si dhe kohëzgjatja e fondit të kompensimit pritet të shtyhen përtej viteve që aktualisht parashikon ligji në fuqi.

Ministria e Drejtësisë ka rishikuar këto afate në një draftligj duke argumentuar se në kushtet aktual Agjencia e Trajnimit të Pronës e ka të pamundur të respektojë afatin fillestar që për shqyrtimin është fundi i këtij viti ndërsa për pagesat fundi i vitit 2026.

Sipas relacionit që shoqëron draftin e nxjerrë për konsultim në nenin 1 të projektligjit përcaktohet ndryshimi i afatit të shtrirjes në kohë të fondit të kompensimit deri në vitin 2028.

“Aktualisht, sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026. Kjo shtyrje diktohet nga një sërë faktorësh:

– Shtyrja e afatit për shqyrtimin e kërkesave deri në 31.12.2027, sipas projektligjit të propozuar;

-Në përputhje me ligjin nr.133/2015, të ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave është e ngarkuar për zbatimin e vendimeve kur ato të marrin formë përfundimtare në kuptim të ligjit, sa i takon vlerësimit financiar të së drejtës së kompensimit apo për ekzekutimin e vlerësimit sipas vendimit gjyqësor.

– Back log-u i dosjeve pranë sistemit gjyqësor;

– Ecuria e proceseve gjyqësore dhe qëndrimit të gjykatave, të cilat përsa i takon trajtimit të kërkesave për njohje pronësie nuk kanë proceduar në të gjitha rastet edhe me vlerësimin financiar të së drejtës së njohur, shtyrja e afatit të vlerësimit financiar deri në vitin 2027, krijon kushtet për vlerësimin financiar të titujve ekzekutiv gjyqësor nga ana e ATP-së.

Pra, në përputhje me këtë dispozitë, ATP-së i krijohet mundësia që të vijojë me ekzekutimin e vendimeve dhe kompensimin deri në 31.12.2028” thuhet në relacion.

Në parashtrimin e bërë sa i takon arsyes pse ende kërkohen disa vite të tjera për shqyrtimin e dosjeve qeveria argumenton se sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2022 në ligjin nr.133/2015, Agjencia e Trajtimit të Pronave filloi hetimin administrativ për shqyrtimin e 7000 dosjeve të patrajtuara për njohje pronësie, për të cilat ka kryer procedurat e njoftimit të subjekteve për plotësim dokumentacioni.

“Aktualisht, rezulton se ATP ka në proces shqyrtimi 5862 dosje dhe 1197 praktika, në total 7059, nga të cilat 705 dosje/praktika të rikthyera për trajtim. Në lidhje me procesin e vendimmarrjes, ATP ka përmbyllur aktualisht procedimin administrativ, duke marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave” thuhet në dokument.

ATP duket se e ka të pamundur të përfundojë procesin sipas afatit për shkak edhe të disa faktorëve të jashtëm që lidhen me plotësimin e dokumentacionit ku disa konfirmime nga institucione të treta kërkojnë 3-6 muaj.

“Duke marrë në konsideratë kohën e mbetur në dispozicion, referuar treguesve të performancës, kapaciteteve të burimeve njerëzore, kompleksitetit të procedimit si dhe kërkesave ligjore për përfundimin e procedimit administrativ, paraprakisht vlerësohet se objektivi ligjor për trajtimin e plotë të dosjeve të patrajtuara brenda datës 31.12.2024, nuk mund të realizohet.

Këto përfundime, mbështeten në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, të cilët kanë kushtëzuar vendimmarrjen e ATP-së, duke projektuar si objektiv të arritshëm maksimalisht rreth 700 vendime deri në fund të vitit 2024, ose 10% të dosjeve të patrajtuara” thuhet në relacion.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit