Transmetuar më 02-12-2024, 23:20

Bukuresht- Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka njohur rezultatin e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe ka konfirmuar se rundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 8 dhjetor. Në rundin e balotazhit do të përballen kandidati prorus, Calin Georgescu, dhe kandidatja properëndimore, Elena Lasconi, e cila pas vendimit të gjykatës, menjëherë njoftoi për nisjen e fushatës për rundin e balotazhit.

“Faleminderit që nuk luajtët ruletën ruse me të drejtën e votës”, tha Lasconi pas vendimit të gjykatës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi urdhrin e gjykatës për rinumërimin e votave.

“Jam mbështetëse e ligjit dhe Kushtetutës. Zoti do të na ndihmojë edhe kësaj radhe për të luftuar për demokraci dhe për ta mbajtur Rusinë larg nga shteti ynë”, shtoi ajo, duke premtuar se do të bashkojë “të gjithë rumunët” nëse zgjidhet presidente.

Presidenti në Rumani ka fuqi të rëndësishme për marrjen e vendimeve, përfshirë edhe për politikën e jashtme dhe çështje të sigurisë kombëtare. Presidenti ka mandat pesëvjeçar dhe presidenti ka të drejtë të refuzojë të nominuarit e partive për kryeministër dhe ministra dhe emëron anëtarët e sistemit gjyqësor. Pas rinumërimit të votave të rundit të parë, Gjykata Kushtetuese në mënyrë unanime refuzoi kërkesën për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Vendimi erdhi pasi Partia Socialdemokrate (PSD), partia në pushtet në Rumani, fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 1 dhjetor, duke hapur rrugën për bisedime për formimin e një koalicioni properëndimor, formimi i të cilit mund të jetë i vështirë. Sipas rezultateve preliminare, PSD-ja prin ndaj Aleancës për Unitetin e Rumunëve, një parti ultra-nacionaliste e ekstremit të djathtë. PSD ka fituar 22.3 për qind të votave, ndërkaq Aleanca për Unitetin e Rumunëve 18.3 për qind.

Partia Liberale e qendrës së djathtë – pjesë e koalicionit të PSD-së – ka fituar 14.3 për qind, ndërkaq partia tjetër e qendrës së djathtë, Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë ka fituar 12.3 për qind të votave. Pasi asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën parlamentare, pritet që negociatat të jenë të vështira për formimin e Qeverisë dhe këto bisedime varen edhe nga rezultati i balotazhit në zgjedhjet presidenciale./ REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit