Transmetuar më 01-12-2024, 22:16

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të kryer kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në zonën e Zubin Potokut më 29.11.2024. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq.

Në një konferencë për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Prishtinës, avokati Delleviq tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë. Sipas avokatit, i pandehuri ka thënë se në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ka qenë në një vend krejt tjetër dhe se për këtë ka shumë dëshmitarë.

“Fakti se dikujt në shtëpi i janë gjetur çizme të lagura e të papastra dhe armë nuk mund të jenë dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur akuzat për kryerje të këtyre veprave të rënda penale. Në atë kohë, ai ka qenë në një vend krejtësisht tjetër, ku ka pasur shumë dëshmitarë” – tha avokati Delloviq.

Avokati tha se beson që pafajësinë e Dragisha Viqentijeviqit do ta dëshmojë gjatë procesit hetimor. Po ashtu, avokati Delloviq tha brenda afatit ligjor do të ankohen ndaj vendimit për masën e paraburgimit.

Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit. Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi./Kallxo.com

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit