Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tetë persona më 29 nëntor, lidhur me djegien e flamurit maqedonas në lagjen Bit Pazar të Shkupit, gjatë festimeve me rastin e 112- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, djegien e flamurit maqedonas e cilësoi si “sulm direkt ndaj shtetit”, dhe tha se këto veprime janë dëshmi e paralajmërimeve paraprake nga MPB-ja për destabilizim të vendit.
Por incidentet pasuan dhe me hedhjen përtokë të një flamuri shqiptar nga një polic i Maqedonisë së Veriut.
Pas këtyre ngjarjeve, pushteti dhe opozita kanë vazhduar me akuza e kundërakuza se kush e ka fajin për incidentet gjatë kremtimit të 28 Nëntorit.
VMRO-DPMNE thotë se incidentet “kanë skenar të LSDM-së dhe BDI-së, që përmes dhe krijimit të tensioneve etnike, të përpiqen ta mbrojnë kapitalin e tyre të fituar përmes krimit”.
“Partitë anti-shtetërore LSDM-BDI përmes grupeve të manipuluara të dhunuesve politik shkaktuan sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit përmes aktit të agresionit kundër dinjitetit të popullit maqedonas. LSDM-BDI pas 7 viteve pushtet kanë hyrë thellë në kënetën politike, janë të nervozuar, në panikë dhe të frikësuar për shkak të përballjes me drejtësinë. LSDM-BDI janë të pafuqishëm dhe në agoni për shkak se nuk kanë mbështetje për protesta dhe për këtë shkak po përpiqen të krijojnë tensione ndëretnike”, thonë nga VMRO.
Ndërkohë ka reaguar edhe partia “Levica”. Kjo parti, jo vetëm që kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje të Ministrit Toshkovski, por rikujtojnë “Platformën Maqedonase”, që sipas tyre ishte kushti themelor për koalicion paszgjedhor me VMRO-DPMNE-në.
“Incidentet e fundit konfirmojnë se përse pushteti që udhëhiqet nga DPMNE nuk pranoi nënshkrimin e ‘Platformës Maqedonase’ nga partitë pro-maqedonase me qëllim të konsensusit kombëtar për të parandaluar shantazhet që vijnë nga partitë e pakicës shqiptare. Pikat e Platformës duhet të jenë linjat minimale të kuqe për të gjithë partitë ku nuk do të ketë lëshime, nëse duam që të mbetet diçka nga Maqedonia”, thonë nga Levica.
“Levica” përmes komunikatës ka rikujtuar pikën e pestë të Platformës Maqedonase ku parashihet ndalimi i valëvitjes në vende publike të flamujve të shteteve tjera, me qëllim të parandalimit të situatave të tilla.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd