Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se Beogradi “nuk ka të bëjë fare” me sulmin që ndodhi mbrëmë në Ibër-Lepenc, në Zubin Potok dhe këtë, sipas tij, e di edhe Prishtina.
Këtë deklaratë ai e bëri në një bisedë me disa të rinj të partisë së tij, të cilëve duke iu shpjeguar se si në politikë “nuk duhet të nxitohesh”, Vuçiç tha se për këtë s’ka reaguar në mëngjes.
“Asnjëherë mos merrni vendime nën presion. Si mendoni, pse nuk nxitova sot në orën gjashtë të mëngjesit të them se Serbia nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Ibër-Lepenc. E dini, ne mund ta bënim këtë dhe ta kthenim lumin përpjetë për ta, nuk na duhej asnjë terrorizëm”, ka thënë Vuçiç siç raporton mediumi publik serb.
Vuçiç tha se ai nuk mund të kërkojë falje “për diçka që nuk e kam bërë”, derisa shtoi se në fund “gjërat bien në vend”.
“Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t’u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë ngadalë, në fund, gjithçka do të bjerë në vend. Është e rëndësishme vetëm të punosh, të luftosh dhe të besosh në vetvete”.
Kurti ka akuzuar Serbinë për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd