Media greke ka zbardhur detaje nga operacioni i parë i zhvilluar në Greqi lidhur me zbulimin e bisedave në aplikacionin “SKY ECC”. Në pranga kanë rënë një oficer grek i anti-drogës 42 vjeç, një shqiptar dhe një grek. Siç zbulojnë mediat greke, shqiptari për të cilin është lëshuar urdhër arresti është Sandër Pemaj 45 vjeç.
Ky i fundit ndodhet në burg në Greqi prej janarit 2020, i arrestuar në kuadër të një operacioni që çoi në sekuestrimin e 1 ton 181 kg kokainë në zonën e Astakos, e trafikuar me velierë nga ishujt Karaibe. Bashkë me Pemajn atëherë u arrestuan edhe Arbër Përdeda, Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi.
Pemaj u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm ndërsa në shtator të këtij viti Gjykata e Apelit në Greqi ja uli dënimin në 15 vjet e 4 muaj.
Roli i oficerit grek Komunikimet në platformën “Sky ECC” kanë zbuluar se oficeri 42-vjecar grek merrte financime mujore për të informuar dhe mbuluar veprimtarinë e paligjshme të rrjetit për të shmangur arrestimin e tyre. Ai gjithashtu ka tentuar të sigurojë në baza mujore dhe për llogari të një pale të tretë, sasi të mëdha droge, si dhe të përfshijë persona në rrethin e tij të kontakteve në veprimtarinë e paligjshme të rrjetit. Bëhet fjalë për një grup që kryente trafik marijuane dhe kokaine.
Kush është Sandër Pemaj 45-vjecari Sandër Pemaj konsiderohet një nga “kokat” e grupeve kriminale shqiptare në Greqi. Në shkurt 2010 ai u përfshi në një përplasje të armatosur me policinë greke bashkë me shqiptarin tjetër Marian Kola, i cili u arratis në 2013 nga burgu i Trikallas e më pas u vra nga policia greke në kufirin greko-shqiptar. Gjatë shkëmbimit të zjarrit në Virona në 2010, ku u hodhën edhe 5 granata, u vra aksidentalisht 25-vjecari shqiptar Nikolla Todi dhe u plagosën 2 policë. Pemaj dhe Kola u arrestuan pas ngjarjes. E ndërsa Kola u arratis e u vra, Pemaj u lirua pas disa vitesh nga burgu.
Pemaj ka precedentë penalë në Greqi prej vitit 2000, duke u arrestuar 5 herë për grabitje me armë, drogë e tentativë vrasje deri në 2010. Tre herë ai kishte thyer lejen që kishte marrë nga burgu. Në 2015, Pemaj u arrestua sërish si pjesë e një grupi kriminal që tregtonte heroinë, kokainë dhe marijuanë. Gjithsej u arrestuan 20 persona, mes të cilëve edhe një polic që i informonte për operacionet. Edhe kësaj radhe Pemaj u lirua shpejt, duke u arrestuar sërish në 2020 për trafikun e rreth 1.2 ton kokainë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd