Transmetuar më 28-11-2024, 20:30

Pas gazetarit Spartak Koka, edhe Flamur Vezaj është distancuar publikisht nga kolegu i tij Artan Hoxha, pas daljes së mesazheve të “SKY ECC” nga dosja e bujshme e SPAK-ut.

Teksa në dosje aludohej se Hoxha kishte tentuar të ndërhynte te Flamur Vezaj për të mos folur në lidhje me personazhe të caktuar të botës së krimit, Vezaj thotë se diçka e tillë nuk ka nodhur.

Ai thotë në një reagim në rrjetet sociale se Artan Hoxha nuk ka komunikuar asnjëherë me të për të ndërhyrë në denoncimet që bënte. Ai thotë se ka denoncuar në atë kohë si Suel Çelën dhe personazhe të tjerë, dhe lë të nënkuptohet se do të vijojë ta bëjë.

Reagimi i plotë i gazetarit Flamur Vezaj:

Përshëndetje miq!

Ky është një reagim i detyruar për shkak të disa bisedave/thashethemeve që lidhen me emrin tim, të përmendura në një vendim gjykate.

Dua të sqaroj publikisht dhe të distancohem me forcë nga çdo deklarim apo bisedë e kolegut Artan Hoxha me persona të tretë, ku përmendet emri im.

Në asnjë rast, dhe aq më pak në datat e pretenduara në vendimin e gjykatës (1 ose 2 tetor 2020), nuk kam zhvilluar biseda me kolegun Hoxha lidhur me rastin në fjalë apo për çështje të tjera të përmendura në vendimin e gjykatës.

Theksoj me përgjegjësi se:

Nuk kam pasur kurrë ndonjë ndërhyrje nga kolegu Hoxha për të shkruar ose mos shkruar, për të folur ose mos folur, për individë të përmendur në këtë dosje apo të tjerë të ngjashëm.

Nuk kam takuar asnjëherë personalisht individët që përmenden në komunikimet mes kolegut Hoxha dhe palëve të treta.

Nuk kam marrë kurrë përfitime apo favore gjatë punës sime për ndonjë qëllim të caktuar nga kolegu Hoxha, individët e përmendur në vendimin e gjykatës apo të tjerë të ngjashëm me ta.

Puna ime, si dhe e kolegëve të ndershëm e dinjitozë në tregun mediatik shqiptar, është lehtësisht e verifikueshme në këtë epokë digjitale. Çdo gjë është publike dhe online.

Përsa i përket të dyshuarve, për të cilët kam denoncuar më parë në emisionin Opinion (më 21 shtator 2020), si dhe për të gjitha shkrimet dhe daljet e mia publike lidhur me denoncimet për dosjen e “Toyota Yaris,” Eldi Dizdarin, Suel Çelën dhe bandën e tij, “Torin,” “Lushnjarin” ose Mentor Mezinin alias Hektor Mezinin (që vazhdon investimet “strategjike” në jug dhe SPAK bënë sehir) dhe shumë personazh të tjerë, thuajse çdo ditë, mund ti gjeni të gjitha materialet në Google dhe YouTube. Mjafton një kërkim me fjalë kyçe, dhe çdo deklaratë e imja është e dokumentuar.

Gjithashtu, theksoj se unë kam vazhduar të shkruaj, flas e denoncoi këta individë edhe pas BISEDAVE të pretenduara mes kolegut Hoxha dhe individëve të tjerë të përmendur në dosjen e SPAK-ut, të përpiluar në emër të dyshimit nga Altin Dumani.

Falenderoj çdo lexues dhe mbështetës për mirëkuptimin dhe vëmendjen!

Misioni vazhdon

Gëzuar ditën e pavarësisë dhe ditën e falenderimeve

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit