Transmetuar më 29-11-2024, 08:14

"Nisa të vija baste në moshën 16-vjeçare me miqtë, thjesht si një mënyrë për të kaluar kohën", – rrëfen Nicolò Fagioli, sot 23 vjeç, mesfushor i Juventusit. Historia e tij vjen në dokumentarin “Fragile”, një prodhim ekskluziv i “Juventus Creator Lab”, tani i disponueshëm në “Amazon Prime Video” në Itali dhe në 21 vende të tjera.

Dokumentari, me një kohëzgjatje prej rreth 40 minutash, përshkruan periudhën mes pezullimit të Fagiolit për shkak të basteve dhe rikthimit të tij në fushë. Përmes rrëfimeve të tij, familjes dhe terapistit, shfaqen momentet e errëta dhe përpjekjet për të kapërcyer periudhën e vështirë. Vetë futbollisti bardhezi, pjesë edhe e kombëtares italiane, nënvizon në rrëfimin e tij:

"I thosha vetes ‘nuk ndodh asgjë’. Ndonjëherë fitoja, por paguaja për humbjet e mëparshme. Në momentin më të keq rrija 12 orë në telefon, koha kalonte si të ishin vetëm 2 ose 3 orë.

Në moshën 16-vjeçare vura baste me miqtë e mi për argëtim. Më pas, gjatë kohës së izolimit për shkak të Covid-19, situata u përkeqësua. Kur isha te Cremonese, mbeta në shtëpi për një muaj për shkak të Covid-it dhe gjithçka u bë automatike, vija baste përmes celularit.

Shuma maksimale për një bast ka qenë 10.000 euro, por frekuenca e lartë e të luajturit më çoi në humbje të mëdha. Kam humbur qindra, mijëra euro. Luaja futboll për t’i paguar këto borxhe në baste. Në një moment më kërcënuan persona të panjohur, por nuk mund të tregoja. Është e tmerrshme të kërcënohesh nga njerëz që nuk i njeh.

Pse qava në pankinë, në ‘Reggio Emilia’, pas një gabimi në atë ndeshje? Eh, kisha shumë borxhe dhe nuk dija si t’i paguaja. Atje e kisha mendjen. Ne futbollistët kemi shumë kohë të lirë, por unë e përdora atë gabimisht.

Shkova dy ose tri herë te qendra për varësi, por më dukej e kotë. Nuk shërohesh nga bixhozi, por mëson ta kontrollosh veten. Familja më qëndroi gjithmonë pranë, i detyrohem shumë. Kalova 7 muaj agoni, çdo ditë shënoja në kalendar sa ditë kishin mbetur.

Humbjet ishin jo vetëm financiare. Kam humbur më shumë se dy vite jetë për shkak të basteve. Kam humbur para, kohë dhe momentet me familjen. Në depresion isha më parë, kur vija baste. Tani ndihem më mirë, jam kthyer, po stërvitem seriozisht".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit