Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum ka kundërshtuar pretendimet e Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump se është arritur një marrëveshje për të ndaluar migrimin në kufirin amerikan.
Ky zhvillim erdhi pasi presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump shpalli fitoren për ndalimin e imigracionit të paligjshëm përmes Meksikës të mërkurën, pasi bisedoi me liderin e atij vendi. Por presidentja meksikane Claudia Sheinbaum reagoi menjëherë më pas dhe tha se Meksika nuk ka asnjë interes të mbyllte kufijtë e saj.
Të dy folën vetëm disa ditë pasi Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj Kanadasë dhe Meksikës, si pjesë e përpjekjes së tij për të goditur imigracionin e paligjshëm dhe drogën.
Trump tha se Sheinbaum "ra dakord të ndalojë migrimin përmes Meksikës".
Por Sheinbaum tregoi publikisht në mediat sociale se ajo i tha Trumpit se Meksika po kujdeset vetë për karvanët e emigrantëve.
Ajo tha se as që bëhet fjalë të pranojë mbyllje kufijsh duke e nxjerrë kështu mashtrues Donald Trampin.
"Ne përsërisim se qëndrimi i Meksikës nuk është të mbyllë kufijtë, por të ndërtojë ura midis qeverive dhe midis popujve," sqaroi Sheinbaum.
Ndërsa gjendja e tarifave të propozuara mbeti e paqartë, Trump tha në një postim në llogarinë e tij të Truth Social se Meksika "po mbyllte në mënyrë efektive kufirin tonë jugor". Ai e quajti atë një "bisedë shumë produktive".
Shkëmbimi mes dy liderëve duket se konfirmoi për Trump vlerën e kërcënimit për të ndërprerë tregtinë me taksat e importit.
Postimi i tij fillestar në mediat sociale ka lëvizur tregjet financiare dhe i dha atij një përgjigje që e përshkroi si një fitore.
Edhe nëse tarifat e propozuara dështojnë të materializohen, Trump mund t’u thotë mbështetësve se thjesht mundësia e aplikimit të tyre është një mjet efektiv i politikës dhe kështu, të vazhdojë të mbështetet në kërcënimet tarifore.
Claudia Sheinbaum deklaroi se Meksika mund të hakmerret me tarifat e saj, pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi se do të vendoste 25% tarifa importi për mallrat meksikane nëse vendi nuk ndalon rrjedhën e drogës dhe migrantët përtej kufirit.
Sheinbaum tha se ishte e gatshme të angazhohej në bisedime mbi çështjet, por tha se droga ishte një problem i SHBA.
“Një tarifë do të pasohej nga një tjetër si përgjigje, dhe kështu me radhë derisa të rrezikojmë bizneset e zakonshme”, tha Sheinbaum, duke iu referuar prodhuesve amerikanë të automjeteve që kanë fabrika në të dy anët e kufirit.
Ajo tha të martën se Meksika kishte bërë shumë për të frenuar fluksin e emigrantëve, duke vënë në dukje se "karvanët e emigrantëve nuk arrijnë më në kufi".
Sheinbaum tha se Meksika vuan nga një fluks armësh të kontrabanduara nga Shtetet e Bashkuara. Ajo shtoi se fluksi i drogës "është një problem i shëndetit publik dhe konsumit në shoqërinë amerikane".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd