Ndeshja e sotme në “Anfield”, mes Liverpool-it dhe Real Madridit është kryesfida e xhiros së pestë të Champions League. Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve, Arne Slot, vlerësoi lart “Los Blancos”:
"Të mposhtësh Real Madridin është jashtëzakonisht e vështirë, jo vetëm për Liverpool-in, por për çdo ekip që luan kundër tyre në Europë. Ata kanë aftësinë të fitojnë në stile dhe mënyra të ndryshme. Kjo është arsyeja pse kanë triumfuar kaq shumë herë në Champions League. Kur gjithçka shkon mirë, ata janë dominues, edhe kur ndeshja bëhet e vështirë, gjithmonë gjejnë një mënyrë për të fituar, ose për të kaluar më tej. Është pikërisht kjo aftësi që i bën ata të veçantë".
Slot foli gjithashtu për situatën e lojtarëve të dëmtuar te Liverpool-it, duke iu përgjigjur pyetjeve për formacionin: "Është interesante që gjithmonë flitet për lojtarët e dëmtuar të Real Madrid-it, por edhe ne kemi pasur probleme. Alexander-Arnold është në listën e të grumbulluarve, por nuk do ta nisë titullar. Ai mund të luajë disa minuta vetëm nëse është absolutisht e nevojshme, por në një botë ideale, nuk do të luante fare.
Chiesa ende nuk është i gatshëm. Po stërvitet me ne, por vetëm në disa pjesë të seancave. Elliott është me grupin, por nuk ka luajtur për një kohë të gjatë, kështu që nuk është gati të fillojë nga fillimi. Edhe Tsimikas është ende jashtë për shkak të një dëmtimi. Lista e të dëmtuarve është mjaft e gjatë".
Në fund, Slot foli për të ardhmen e Mohamed Salah, i cili është gjithnjë në qendër të vëmendjes për rinovimin e kontratës: "Duke parë formacionet që kam zgjedhur deri tani, Mohamed është më shumë brenda sesa jashtë. Nuk mendoj se negociatat për kontratën po e shpërqendrojnë. Nuk e kanë shpërqendruar as kundër Manchester United, pas disa deklaratave, as në raste të tjera. Salah mbetet i përqendruar dhe i vendosur".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
Note: Some images are sourced from the internet and are considered to be in the public domain. If someone claims ownership, we will either credit the author or, upon request, immediately remove the image.