Agim Karaj, një prej emrave më të njohur në fushën e mjekësisë dhe onkologjisë në Shqipëri, ka ndërruar jetë një ditë para ditëlindjes së tij. I lindur më 25 nëntor 1950 në Tiranë, ai ishte një shembull frymëzimi për përkushtimin dhe pasionin e tij në profesion.
Përveçse i shkëlqyer në studime, ai spikati edhe në sporte të ndryshme dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1975, Dr. Karaj filloi karrierën si kirurg në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku më pas u specializua si kirurg onkolog.
Në vitin 1987, ai u specializua në Institutin "Gustave Roussy" në Paris, një nga institucionet më të mira në botë për onkologji dhe onkoplastikë. Karriera e tij u pasurua nga pjesëmarrje në trajnime dhe konferenca ndërkombëtare, si dhe nga referimet e tij në institucione të njohura si Instituti i Onkologjisë në Milano.
Në vitin 1990, ai emigroi në Kanada, ku punoi me përkushtim dhe sakrifica për të ndërtuar një jetë të re për veten dhe familjen e tij. Pas stabilizimit të familjes, në vitin 1996, Dr. Karaj u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të kontribuonte si shef kirurgjie në Spitalin Onkologjik deri në vitin 2015.
Në vitin 2008, ai themeloi spitalin privat "Amavita", ku drejtoi me përkushtim dhe profesionalizëm deri në momentet e fundit të jetës së tij. Dr. Agim Karaj ishte një njeri i dashur, i thjeshtë dhe shumë i përkushtuar ndaj punës dhe pacientëve të tij. Humbja e tij është një goditje e madhe për familjen, kolegët, pacientët dhe gjithë ata që patën fatin ta njohin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd