Krimi që tronditi të madh e të vogël, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani mund të ishte parandaluar.
Kjo pasi konflikti kishte nisur prej disa ditësh dhe për këtë ishin në dijeni dhe stafi i shkollës.
Prindërit e shkollës “Fan Noli” akuzojnë mësuesit dhe drejtoreshën e shkollës për mosmarrjen e masave pasi ishin në dijeni të konfliktit.
Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan Noli” pas ngjarjes së rëndë.
Në audio dëgjohet një prind që i kërkon llogari mësueses dhe thotë se stafi i shkollës kishte dijeni se i mituri ishte i armatosur.
Sipas prindërve, jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesja, drejtoresha, psikologia e shkollës “Fan Noli” dhe oficerja kanë qenë në dijeni të thikës që 14-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes së Martin Canit mbante në shkollë, ditën e ngjarjes.
“Përgjegjësia juaj ishte që ata fëmijë të mos vinin as orën e 5 e të 6 që kishin marrë leje. Nga e premtja ishte bërë çfarë ishte bërë dhe për zyshën duhet të merren masa, edhe për drejtoreshën. Edhe oficeren. Gjithë çfarë kanë qebë. Edhe psikologu ishte në dijeni”, thotë prindi”.
14-vjeçari u kishte treguar thikën nxënësve të klasës dhe u kishte thënë se për kë e kishte marrë.
“Dhe kur gjithë klasa po përpëlitej, ai djali kishte thënë ‘prisni ju çfarë do të ndodhë sot’. Dhe vjen me një thikë kaq! Dhe ua ka treguar edhe shokëve”, dëgjohet në audio.
Në bisedë prindi kërkon llogari nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës për këtë neglizhencë dhe akuzon stafin e shkollës se u kanë sugjeruar fëmijëve të mos flasin me gazetarët apo të japin intervista për ngjarjen.
Martin Cani mbeti i vrarë më 18 nëntor në kryeqytet, pas një sherri me thika.
Policia arrestoi si autor të vrasjes 14-vjeçarin M.P., ndaj të cilit është ngritur akuza e vrasjes në rrethana cilësuese.
I plagosur mbeti dhe shoku i viktimës. Sherri mes të miturve kishte nisur prej ditës së premte çka ka bërë të ngrihen shumë pikëpyetje se si askush nuk arriti ta parandalonte krimin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd