Tezja e Martinit të ndjerë që u vra me thikë nga moshatari i tij pranë shkollës Fan Noli në Tiranë, ishte e tronditur dhe e shokuar sot në protestën për ngjarjen tragjike.
Ajo humbi ndjenjat gjatë protestës ndërkohë që para se të ndodhte kjo, arriti të thoshte dy fjalë zemre për atë që ka ndodhur.
Mes lotësh, tha se djali ishte dërguar në shkollë dhe jo në luftë, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij.
“Duam drejtësi, drejtësia të shkojë në vend! E çuam në shkollë dhe jo në luftë që të na e therin. Nuk më gjen gjë. Gjithë bota ka mbajtur zi për të, jo vetëm Shqipëria. Ç’më duhet uji, ka katër ditë që Martini nuk pi ujë”, tha ajo.
Dhe në gjendje shoku siç ishte, nga humbja e nipit të saj, që u godit me thikë në zemër, tezja humbi ndjenjat në protestë.
Ajo u transportua me ambulancë drejt urgjencës së QSUT për të marrë ndihmë mjekësore.
Prindërit në protestë
Prindër dhe të rinj protestuan sot para ministrisë së Arsimit, pas vrasjes së Martin Canit, ngjarje e cila tronditi mbarë opinionin publik.
Protesta nisi në rrugën ku u vra 14-vjeçari Martin Cani dhe vijoi përmes qytetit deri para dyerve të Ministrisë së Arsimit, e cila ishte e rrethuar me punonjës policie.
Qytetarët kanë kërkuar sot dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Martin Cani humbi jetën në moshën 14-vjeçare të hënën, pasi u godit me thikë nga një tjetër nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Gjatë sulmit mbeti i plagosur edhe një tjetër adoleshent. Ngjarja çoi tronditje dhe revoltë, ndërsa riktheu vëmendjen tek nevoja për siguri në shkolla.
14-vjeçari Martin Cani dyshohet se u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij Mario P., jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” ku të dy shkolloheshin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd