Transmetuar më 21-11-2024, 18:03

Brenda javës së ardhshme do të kemi lajm pozitiv për profesionistët e lirë sepse qeveria ka vendosur që gjatë dhjetorit 2024 të kthehen të gjitha fondet e marra nga profesionistët e lirë dhe do të fshhen të gjithë detyrimet e regjistruara gjatë kësaj periudhe.

Këtë e bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë dhe Financave, Petrit Malaj në një konferencë për shtyp me zyrtarë të misionit të FMN-së dhe Bankën e Shqipërisë.

Vendimi për kthimin e tatimit të parapaguar dhe fshirjen e detyrimeve të dala për gjithsej 29 mijë biznese të tilla, pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

“Për çështjen e profesioneve të lira, Ministria e Financave ndoqi rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar dhe për të na udhëzuar, se si duhet të vepronim për efektet që prodhoi ligji nga hyrja në fuqi deri në momentin e shfuqizimit. Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për këtë gjë, duke lënë të nënkuptohej që efektet e prodhuara ishin legjitimi.

Nga ana e qeverisë ka vullnet për të kthyer fondet mbrapsht. Ministria e Financave i ka propozuar qeverisë kthimin mbrapsht të fondeve. Besoj se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të kemi lajm të mirë për profesionet e lira.

Brenda muajit dhjetorit 2024 do të kthehen të gjitha shumat e marra nga profesionet e lira dhe do të fshihen të gjitha detyrimet e regjistruara përgjatë periudhës janar-korrik që ishte ligji në fuqi”, u shpreh ministri Malaj.

Më herët më 27 qershor Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë pas 31 dhjetorit 2029, njësoj me bizneset e tjera.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit