Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, u takua me të rinjtë e programit “B4Students” për të folur për biznesin, sfidat dhe vështirësitë që e shoqërojnë, si dhe për “paketën” e tipareve që duhet të ketë një sipërmarrës i ri.
“B4Students” është një program i krijuar posaçërisht për studentët nga Fondacioni Mane, për t’i aftësuar profesionalisht dhe për t’i lidhur ata me botën e biznesit.
Mes të rinjve të pranishëm në takim, ndodheshin ata të cilët aktualisht po ndjekin studimet dhe kryejnë internship në kompanitë e Grupit BALFIN; studentë që prej pak kohësh kanë fituar statusin e punonjësit, po në BALFIN, por mbi të gjitha të rinj të cilët duan të jenë pjesë e botës së biznesit me aftësitë dhe idetë e tyre inovatore.
Samir Mane ndau me ta rrugëtimin e tij personal, ndërsa theksoi rëndësinë që Grupi BALFIN dhe Fondacioni Mane i kushton të rinjve ambiciozë përmes programit “B4Students”.
“Kur shoh kaq shumë studentë që janë pjesë e BALFIN në mënyra të ndryshme, më rikthehet në mendje fillimi im, kur kisha vetëm një ide biznesi, që më bëri të guxoj shumë nga ana ekonomike, ndonëse shumë ishin kundër.
Sot, ja ku jemi të gjithë, në një grup të madh si BALFIN”, tha Mane, për t’u ndalur më tej në rëndësinë e “B4Students” dhe ndikimin konkret që ka tek të rinjtë.
“Ky program krijon mundësi të panumërta për të rinjtë. Deri më tani kemi marrë mbi 300 aplikime për ide biznesi nga të cilat shumë janë bërë realitet. Për më tepër, kemi dhënë mbi 1,400 internshipe dhe 50 bursa studimi…,” pasqyroi Mane.
Takimi u përmbyll me një apel për të rinjtë që të vazhdojnë të guxojnë, të punojnë me pasion dhe të ndjekin ëndrrat e tyre pa hezitim.
“E ardhmja juaj nis nga fokusi që tregoni përgjatë studimeve, nga një hap dhe një ide e re. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur dhe për t’ju treguar se këmbëngulja dhe pasioni shpërblehen gjithmonë”, përfundoi Presidenti i Grupit BALFIN, për t’i lënë hapësirë bashkëbisedimeve të frytshme, ku të rinjtë ndanë qëndrimet dhe idetë e tyre jo vetëm me të, por edhe me mentorë dhe profesionistë të pranishëm nga industri të ndryshme.
“B4Students” nuk ofron vetëm mbështetje financiare, por edhe përgatit të rinjtë për sfidat e botës së biznesit. Programi synon të fuqizojë studentët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe për të kontribuar pozitivisht në komunitet. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd