Transmetuar më 20-11-2024, 21:24

Mot me reshje të dendura pritet gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të vendit, raporton noa.al duke cituar ministrinë shqiptare të Mbrojtjes.

Bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan.

Në qarqet e tjera priten reshje mesatare, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në nivelin “intensive”.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe të institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

AKMC u bën thirrje prefekturave dhe bashkive të mobilizojnë strukturat për menaxhimin e emergjencave civile dhe të monitorojnë situatën në zonat me rrezik më të lartë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit