Transmetuar më 20-11-2024, 18:53

Avokati i Federatës së Futbollit të Kosovës ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me vendimin e UEFA-s, i cili i dha fitoren 3-0 në tavolinë Rumanisë pas ndeshjes së ndërprerë për shkak të thirrjeve raciste të tifozëve vendas.

Ai thekson se UEFA nuk i ka marrë parasysh disa shkelje të bëra në atë ndeshje nga Rumani, të cilat sipas tij, mund ta ndryshojnë vendimin në CAS.

“Federata e Futbollit e Rumanisë dënohet për thirrje raciste, ksenefobe, diskriminuese, mesazhe politike dhe sjellje të tjera të papranueshme. UEFA ka marrë një vendim duke dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë qindra mijëra eurosh dhe një ndeshje pa tifozë, për shkak të sjelljeve, raciste, ksenofobe, politike, diskriminuese dhe të papranueshme të tifozëve, ekipit dhe zyrtarëve të saj gjatë ndeshjes kundër Kosovës. Ky vendim po ashtu ka vendosur që rezultati i ndeshjes të jetë 3:0 në favor të Rumanisë. Kjo pjesë e vendimit së bashku me disa shkelje tjera të Rumanisë që ende nuk janë marrë parasysh konsideroj që mund të ndryshojnë në CAS, Lozanë në favor të Kosovës sepse kemi një numër të madh të shkeljeve dhe dënimet tashmë të vërtetuara ndaj Federatës Rumune që duhet të konstatojnë ndërprerjen e ndeshjes e jo veprimi i futbollistëve të Kosovës”, ka shkruan Hodaj në “Facebook”.

Avokati i FFK-së insiston se Kosova ka argumente të mjaftueshme për ta fituar rastin në CAS.

“Ka qenë shumë sfiduese situate pas ndërprerjes së lojës, por fakti që lojtarët tanë patën të drejtë në veprimet e tyre dhe thirrjet ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Serbia, Serbia’ u dënuan nga UEFA, e në anën tjetër bërja e shqiponjës me duar nuk u dënua, më bëjnë të ndihem mirë për këtë pjesë sepse shumica e pikave të ankesës të përgatitur nga ekipi ligjor i FFK-së është miratuar”.

“Ankesa je FFK-së, e cila përfshinte prova të qarta dhe argumente të pakundërshtueshme, ka luajtur një rol kyç në vënien para përgjegjësisë të palës rumune për gjuhën raciste, të urrejtjes dhe sjelljet diskriminuese. Në të ardhmen duhet të vazhdojmë aktivisht të ankohemi dhe kërkojmë që UEFA të mos lejojë racizmin në fushat e futbollit në asnjë rrethanë”, deklaroi Hodaj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit