Transmetuar më 20-11-2024, 14:36

Edicioni i dytë i “Vlerësimit të Sipërmarrjeve të Qëndrueshme”, organizuar nga UNDP Albania dhe i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), është përmbyllur duke shpallur mes kompanive të shumta pjesëmarrëse, pionerët – ata të cilët aktivitetin në vend e kanë të pandarë nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).

Grupi BALFIN u vlerësua për implementimin e praktikave ESG dhe për përgjegjshmërinë sociale të korporatës.

Këtë vit u shënua edicioni i dytë i “Vlerësimit të Sipërmarrjeve të Qëndrueshme”, një nismë e ndërmarrë nga UNDP Albania dhe e financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).

Kjo nismë synon të promovojë sipërmarrjet që operojnë në Shqipëri, të cilat tregojnë përkushtim të veçantë ndaj qëndrueshmërisë dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) – të njohura botërisht si standarde thelbësore dhe inkurajuese për një jetesë dinjitoze dhe me mundësi të barabarta.

Eventi bëri bashkë përfaqësues të lartë të qeverisë, drejtues e përfaqësues kompanish, si dhe aktorë të angazhuar për impakt pozitiv, si mbrojtës mjedisi dhe novatorë të përkushtuar ndaj çështjeve sociale dhe mjedisore.

Në mesin e rreth 70 kompanive pjesëmarrëse nga sektorë të ndryshëm, Grupi BALFIN, i pozicionuar në listën e kategorisë së kompanive të mëdha, arriti të vlerësohej për iniciativat, punën dhe lidershipin e treguar në praktikat e qëndrueshme, si për biznesin, ashtu edhe për komunitetin.

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, e pranishme në ceremoni, u shpreh:

“OKB-ja është e lumtur të vlerësojë sipërmarrjet në Shqipëri që po vendosin një shembull kuptimplotë duke krijuar vende pune cilësore, reduktuar ndikimin e tyre në mjedis dhe integruar qëndrueshmërinë në praktikat e tyre bazë të biznesit. Këto sipërmarrje vizionare jo vetëm që fokusohen në të tashmen, por po ndërtojnë aktivisht një të ardhme të qëndrueshme për bizneset dhe komunitetet që u shërbejnë.”

Çmimi i marrë nga Grupi BALFIN finalizoi një proces të gjatë vlerësimi, të ndarë në disa faza, duke përfshirë këtu rishikimin e të dhënave, kontrollin e përshtatshmërisë, vlerësimin e jashtëm nga një panel ekspertësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë në biznes, si dhe një vlerësim të thelluar dhe përfundimtar, po prej ekspertëve të fushës.

Grupi BALFIN ka 5,300 punonjës dhe shtrihet në industri si: shitja me pakicë, zhvillimi i pasurive të paluajtshme, industria bankare, turizmi, menaxhimi i aseteve, etj.

Me një shtrirje të gjerë gjeografike, në 11 shtete dhe 2 kontinente, BALFIN operon në biznes duke ndikuar në përmirësimin e standardeve dhe kushteve të punës, infrastrukturës, kujdesit shëndetësor, edukimit dhe kulturës.

Kompanitë e Grupit BALFIN bëhen pjesë e komuniteteve ku ndodhen të pranishme edhe nëpërmjet investimeve sociale, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e jetesës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit