Pep Guardiola ka thyer ngërçin, ka vendosur të rinovojë me Manchester City edhe një vit, deri më 2026, me opsion për një tjetër sezon shtesë. Njoftimi zyrtar duhet të arrijë në ditët në vijim, por lajmi i publikuar nga “The Athletic” është konfirmuar nga media të ndryshme në Angli.
Trajneri spanjoll, i cili zbarkoi në Premier League në vitin 2016, do të kalojë 10 vite në krye të “qytetarëve”. Nisur nga momenti delikat që skuadra po kalon (e freskët nga katër humbjet radhazi ndaj Tottenham, Bournemouth, Sporting Lisbonës dhe Brighton), drejtuesit i kanë përshpejtuar negociatat për t’i dërguar një sinjal të fortë gjithë mjedisit në “Etihad”.
Në momentin më të vështirë, që kur zbarkoi te Manchester City në verën e vitit 2016, Guardiola vendosi të vazhdojë “martesën” me klubin anglez, pavarësisht “shpatës së Damokleut” mbi kokë, saktësisht të dënimit që do të arrijë në vitin 2025 për shkeljet e pretenduara (115 të tilla) të “Fair Play Financiar”.
Lamtumira e paralajmëruar pak javë më parë e të besuarit të tij, Txiki Begiristain, kishte bërë që njerëzit të mendonin për një zgjidhje tjetër, pra që katalanasi ta ndiqte nga pas, por nuk ishte kështu. Ai ka vendosur të qëndrojë për lumturinë e tifozëve të “qytetarëve” që adhurojnë trajnerin, i cili e bëri ekipin e tyre një nga më të fortët në botë.
Në krye të Manchester City, Guardiola ka fituar 18 trofe, duke përfshirë 6 Premier League (4 radhazi, si askush tjetër më parë) dhe mbi të gjitha Ligën e Kampionëve më 2023, vit në të cilin fitoi edhe tripletën sezonale (Premier League dhe “FA Cup”).
“Qytetarët” janë aktualisht në vendin e dytë të Premier League, 5 pikë prapa liderit, Liverpool, të freskët nga 4 humbjet radhazi. Një seri negative të cilën Guardiola po e përjeton për herë të parë në karrierën e tij. Manchester City do të kthehet në veprim të shtunën, në “Etihad”, kundër Tottenham.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd