Lajm i bujshëm nga Genoa. Trajneri Alberto Gilardino u shkarkua sot dhe në vend të tij do të vijë Patrick Vieira. Në fakt, mungon ende statusi zyrtar i kësaj rokade në stolin e njerës prej skuadraver të Serie A, e cila pozicionohet në vendin e 17-të për momentin, në zonën e rrezikshme të mbijetesës. Sidoqoftë, lajmi është dhënë nga “Sky Sport” dhe së shpejti do të ketë informacione të tjera të reja.
Pikërisht dje, Gilardino kishte folur për momentin e përjetuar nga skuadra e tij: “Po e shohim sërish dritën pak, morëm 4 pikë në 2 ndeshjet e fundit, para pushimit prej kombëtareve. Ne kemi nevojë dhe mendojmë të rikuperojmë sa më shumë lojtarë. Duke pasur më shumë lojtarë në dispozicion, puna ime dhe e stafit mund të bëhet më e lehtë".
Për Balotellin, trajneri kuqeblu, i shkarkuar sot, vazhdoi: "Është normale që me të hyrë në grup duhet të rreshtohet me skuadrën. Po stërvitet fort për të bërë atë që ka bërë gjithmonë, diferencën brenda ndeshjeve.
Mbetet të shihet nëse në ndeshjen e radhës do të ketë 15 minuta, gjysmë ore ose aktivizim të plotë. Është një sfidë për ne, që e kemi kontraktuar pas një pauze jo të vogël pa ekip dhe aktivitet. Shpresojmë të tregojë se është ende një lojtar dinjitoz për Serie A dhe se mund të bëjë diferencën”.
Ndërkohë, mësohet se Patrick Vieira ka nënshkruar si trajner i ri i Genoa, duke zëvendësuar Gilardinon. Francezi ka rënë dakord sot me klubin që renditet i 17-ti në Serie A, duke nisur një kapitull të ri sfidues dhe jo pak të vështirë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd