Pse Juventusi pothuajse nuk e fiton kurrë Ligën e Kampionëve? Pyetja fatale arriti në veshin e atyre që patën disa mundësi për ta ngritur në qiell “kupën me veshë të mëdhenj” si Gigi Buffon, portieri i përjetshëm i Juventusit, që tani është në krye të delegacionit të kombëtares italiane:
“Barcelona më 2015 dhe Real Madridi më 2017, me të cilat u përballëm në finalen e Ligës së Kampionëve, ishin skuadrat më të forta të 20 viteve të fundit. Edhe më 2003 ishim përballë Milanit të Shevchenkos”.
Finalen ndaj kuqezinjve e humbi me penallti dhe pak muaj më vonë, Buffon, siç tregon në autobiografinë e tij, ra në depresion: “Ishte fundi i vitit 2003, kampionati kishte nisur mirë, pastaj filluam të humbnim entuziazmin. Kishim fituar dy kampionate radhazi, teksa zbrazëtia u hap para meje”.
Kjo u rëndua derisa u ndje i sëmurë edhe në fushë: "Një sulm paniku. Ndjeja presion në gjoks, nuk mund të merrja frymë. Mendova se nuk do të doja kurrë të isha atje dhe nuk do të mund ta luaja kurrë ndeshjen".
Më tej tregoi se si doli nga ky tunel i errët: "I refuzova drogat. Kisha nevojë për to, por kisha frikë të bëhesha i varur prej tyre. Shkova te psikoterapisti vetëm tri ose katër herë, por ai më dha këshilla të vlefshme. Më tha të kultivoja të tjera interesa, jo të fokusohesha tërësisht te futbolli”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd