Transmetuar më 19-11-2024, 08:14

Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses përgatitjet për ndeshjen e dytë të nëntorit dhe të fundit në grupin B1 të "UEFA Nations League", të cilën do ta luajë sonte në "Arena Kombëtare".

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi u stërvit i plotë, ndërsa Jasir Asani zhvilloi fillimisht një seancë individuale, më pas iu bashkua grupit.

Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen ndaj Ukrainës, e cila konsiderohet "finale" e vërtetë.

Atmosfera në ekip është pozitive dhe kuqezinjtë ndihen shumë të motivuar për të përmbushur objektivin, për të dhënë maksimumin para tifozëve që do të jenë në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Seanca stërvitore zgjati rreth një orë dhe skuadra në fushë provoi disa skema të ndryshme loje, si dhe vendosje taktike, të bëra gati për anti-Ukrainën.

Pritet që në majën e sulmit të startojë Daku, meqë Tuci shpenzoi shumë energji ndaj çekëve në sfidën pararendëse. Në vend të Asanit, nëse nuk ia del dot, llogaritet të luajë Seferi. Pra, dy ndryshime priten në formacionin startues të sotëm, krahasuar me atë ndaj Çekisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit