TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën një 14-vjeçar. Gjithashtu është zbardhur edhe dëshmia e një gruaje e cila shoqëroi 14-vjeçarin pas sherrit me adoleshentët drejt spitalit.
Ajo tregon se si e gjeti të miturin të shtrirë në tokë me plagë, mbi të cilin ishte një turme njerëzish që i hidhnin raki.
Po ashtu gruaja thotë se e ka marrë djalin në makinë për ta dërguar në spital dhe rrugës ka parë ambulancën dhe ka ndaluar. Më tej ajo shprehet se rrugës djali u përmend.
“Unë isha duke blerë mish për biznesin tim dhe dëgjoj ulërima. Kur shoh djali ishte përtokë, i hidhnin raki dhe i mbanin plagën. Askush nuk po vinte ta merrte, as mësues nuk pashë, asnjë. Ishte moment. Për 3 minuta shpërndava të gjithë turmën, mora djalin kam hipur mbi trotuar kam ecur me shpejtësi për në spital, pashë ambulancën e ndalova. Rrugës djali u përmend.
E mora në makinën time dhe nuk po më ndihmonte asnjë, nuk erdhi njeri që të më vinte në makinë shoqërues. Aty më erdhi një djalë që punonte në laborator, i vuri dorën te plaga dhe djalin e përmendëm gjatë rrugës. I thosha shpirti nënës, shpirti mamit ti u bëre mirë, ia hodhe, kaloi çdo gjë. Ai bërtiti. Rri i qetë i thash se shpëtove, kaloi çdo gjë, erdhëm në spital. Ia dhashë ambulancës dhe këtu erdha të interesohem nëse shpëtoi apo jo se nuk ja di as emrin.
Kjo ka ndodhur rreth orës 13:00-13:30. Nxënës kishte plot, qanin ulërinin, njerëz pa fund që nuk dinin çtë bënin. Shpërndava turmën, rrëmbeva djalin, mora dhe një ndihmës dhe vrapova drejt ambulancës. Unë shpejtova më shpejt se ambulanca, kalova mbi trotuare, pengesa dhe arrita deri te ambulanca. E çova djalin gjallë dhe pa pikë gjaku. Kam makinën dhe s’ka asnjë njollë gjaku. Atletet e çunit ndodhen në makinë time”, tha ajo.
Çfarë ndodhi
Një djalë i mitur vdiq sot pas dreke pasi u qëllua me thikë ndërsa ishte përfshirë në një grindje me dy moshatarë të tij.
Fëmija ishte M.C., 14 vjeç, banues në qytetin e Tiranës.
Ai është plagosur me thikë në zemër dhe ka humbur jetën.
Një i dytë, L.M., gjithashtu 14 vjeç ka mbetur i plagosur në kraharor nga sulmi me thikë që ndodhi sot rreth orës 13:10, në rrugën "Qema Stafa", afër shkollës "Fan Noli".
Policia tha se janë konfliktuar 3 fëmijë të moshës 14 vjeç, raporton noa.al.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre.
Ndërkohë në gjendje serioze është fëmija tjetër 14 vjeçar. Ai ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd