Transmetuar më 18-11-2024, 17:00

Ministria e Arsimit dhe Sportit thotë se është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë.

Reagimi vjen pak orë pasi në qendër të Tiranës, pak metra nga Pazari i Ri dhe Prokuroria e Përgjithshme, një djalë 14 vjeçar, nxënës i shkollës Fan Noli, mbeti i vrarë dhe një moshatar i tij u plagos rëndë sot pas mesdite, pasi u qëlluan me thikë nga një tjetër nxënës 14 vjeçar, afër shkollës ku mësonin.

Ministrja e Arsimit thotë se kërkon ndërmjet të tjerëve edhe nga prindërit që të parandalojnë ngjarje të tilla.

"Mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen", thuhet në reagimin ministror.

Deklarata pohon se "jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën "Qemal Stafa", Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”.

Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër.

Në këtë pikë, ministria kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.

"Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte.

Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.", nënvizon deklarata.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit