Tiranë- Drejtoresha e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, dha detajet në një konferencë për shtyp pas operacionit të policisë, të koduar “USDT-1”.
Ajo bëri me dije se policia ka ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës për 18 persona.
Ata akuzohen për disa vepra penale, që nga ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare, fshehje të të ardhurave dhe moskallëzim i krimit.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur 2 persona nga Maqedonia e Veriut.
Gjana sqaroi se 18 të arrestuarit, në rolet e autorëve dhe administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë e Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme.
Hetimet po vijojnë, teksa policia ka konkluduar se kriptomonedhat përdoreshin si mekanizëm pagese ndërmjet grupeve kriminale.
“Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese ndërmjet grupeve kriminale”, u shpreh Gjana.
Si pasojë e kontrolleve në 32 ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 750 mijë euro, para që sipas policisë dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 13 pajisje kompjuterike dhe 27 celularë.
Fjala e plotë:
Përshëndetje,
Jam sot këtu, për t’ju informuar për rezultatet e operacionit policor të koduar "USDT-1". Operacioni, i pari në vendin tonë, dhe shumë i rëndësishëm në nivel rajonal, kishte objektiv dokumentimin me prova ligjore dhe goditjen e këmbimit të kundërligjshëm të parave në monedha virtuale dhe anasjelltas.
Për shkak të rëndësisë së madhe që paraqet goditja e kësaj veprimtarie kriminale, nisur nga shtrirja globale e saj, multinacionaliteti i autorëve, vështirësia e provimit të autorësisë dhe veprimtarisë në vetvete, hapësira virtuale e kryerjes së këtij aktiviteti dhe probabiliteti për t’u shndërruar në terren ku pastrohen paratë e krimit, hetimi nga Drejtoria për Hetimet e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, të cilën gjej rastin ta falënderoj, ka qenë kompleks, disamujor dhe është kryer me metoda speciale.
Gjatë periudhës hetimore është mundësuar dokumentimi me prova bindëse i kësaj veprimtarie kriminale që kryhej individualisht, duke përdorur si mjete komunikimi rrjetet sociale, si dhe nëpërmjet disa subjekteve ekonomike, në Tiranë dhe në Shkodër. Në vijim të veprimeve hetimoro-procedurale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Dretjorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë ekzekutuar masat e sigurisë, të caktuara nga Gjykata e Tiranës, për 18 shtetas.
Konkretisht:
-është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: G. S., R. B., A. K., L. L., M. S., A. R., A. A., S. Gj., A. Gj., D. D., T. A., F. S., P. V., D. V., E. S., J. L. dhe A. B., të akuzuar për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
-është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasin V. L., si akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale, me shtetësi të RMV-së.
Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale ne para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie. Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese nëpërmjet grupeve kriminale.
Drejtoria për Hetimet e Krimeve Kibernetike falënderon qytetarët dhe median për denoncimet e herëpashershme për krime në këtë fushë. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me ta, administrimit të menjëhershëm të indicieve, fushatave sensibilizuese të vazhdueshme dhe koordinimit me strukturat homologe në Europë, janë finalizuar një sërë operacionesh policore, të cilat kanë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e veprimtarive të ndryshme kriminale që kryheshin në hapësirën virtuale, kryesisht në rrjete sociale.
Në këtë kuadër ftoj qytetarët dhe përfaqësuesit e medias që ta vijojmë dhe intensifikojmë këtë bashkëpunim, nëpërmjet denoncimit të menjëhershëm të çdo indicieje për krime kibernetike, te njësitë tona fizike pranë drejtorise qendrore, drejtrive vendore të Policisë, si dhe te platformat tona zyrtare dhe te ato të Policisë së Shtetit.
Faleminderit!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd