Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në arrest me burg 10 personat e arrestuar në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika latine drejt vendit tonë.
Sasia e drogës futej përmes lëkurës së gjedhit.
Mes të arrestuarve kishte edhe dy venezuelianë dhe një kolumbian. E teksa shqiptarët kanë kyçur gojën në seancën gjyqësore, e kundërta ka ndodhur me të huajt.
Njëri prej venezuelianëve ka pretenduar se ka ardhur në vendin tonë për të mbjellë flokët, e jo për t’u marrë me punë të pista.
Venezueliani tjetër ka theksuar se kishte ardhur për të blerë rroba në Shqipëri dhe Turqi.
Ndërsa i huaji tjetër, kolumbiani, ka kërkuar një telefon në mënyrë që të lajmërojë familjen për atë që i ka ndodhur.
Grupi u godit falë hetimeve të SPAK, që thotë se i ka mbajtur të hetuarit për disa muaj në vëzhgim dhe përgjim. Kështu ka mundur të përcaktojë se në rolin e financuesve dhe organizatorëve të kësaj veprimtarie ishin shtetasit Klajd Birçe, Geis Fejsullai, Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari.
Droga, e cila futej në Shqipëri nëpërmjet lëkurës së gjedhit, ekstraktohej më pas nga kimistët nga Venezuela dhe Kolumbia në laboratorin në Qerekë të Fushë Krujës. Materialet ndihmëse dhe vendet nga bëhej më pas shpërndarja e saj për tregun vendas dhe europian ishin dy banesa në Tiranë dhe Durrës.
SPAK ka arritur të sekuestrojë 48 tonë lëkura gjedhi në të cilën është fshehur edhe lënda narkotike, që sipas përgjimeve të kryera janë futur në Shqipëri në muajin Shtator dhe në fillim të Nëntorit.
Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e të premtes, në 15 nëntor, u sekuestruan lëndë narkotike, përzierës për lëndën narkotike, vlera monetare dhe sende të tjera si telefon apo materiale të tjera të nevojshme për ngritjen e laboratorëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd