Transmetuar më 16-11-2024, 12:44

Thyerja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë dhe meniskut të gjurit të djathtë ishin një goditje e fortë për Mauro Icardin dhe Galatasaray. Klubi turk humbi në një çast një nga lojtarët e vet më të mirë për pjesën e mbetur të sezonit.

Lëndimi i rëndë, i marrë në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Tottenhamit, e lë për një kohë të gjatë jashtë fushave ish-sulmuesin argjentinas të Interit. Mjeku i skuadrës turke nga Stambolli, Yener Ince, ka dashur të bëjë një bilanc të situatës:

"Kur çahet ligamenti i kryqëzuar anterior, duhet pritur një periudhë kohe, para se të përgatitesh për operacionin. Do ta presim këtë periudhë. Pas reduktimit të edemës së kockës në gju, do të organizojmë operacionin.

Shumë spekulime kanë qarkulluar se ndoshta ligamenti i Icardit nuk ishte këputur, por ne jemi një klub tejet serioz. Pra, nuk do të bëjmë deklarata që mund të mashtrojnë tifozët tanë. Ashpërsia e dëmtimit dhe edema intra-artikulare e kockës në gju ndryshojnë nga lojtari në lojtar.

Disa mund të kenë vështirësi në ecje, por në shumicën e rasteve ecja nuk është problem. Fakti që Icardi ishte në gjendje të ecte atë ditë nuk do të thotë që ligamenti nuk ishte i këputur. Po, ligamenti ishte i këputur, edhe menisku ka dëmtim. Për fat të keq është e nevojshme kirurgjia dhe ne do ta planifikojmë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit