Transmetuar më 15-11-2024, 14:57

Të shtunën (nesër) në orën 20:45 në stadiumin "Air Albania" në Tiranë luhet ndeshja mes Shqipërisë dhe Çekisë e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve.

Policia e shtetit ka bërë me dije edhe planin e masave për këtë takim.

Blutë bëjnë me dije se dy ekipet do eskortohen për në stadium, teksa miqtë do jenë në vëzhgim që nga Rinasi. Gjithashtu kontrolle të detajuara do ketë për tifozët ku nuk do lejohet asnjë mjet i paautorizuar.

Veç saj, policia do menaxhojë edhe trafikun në Tiranë para dhe pas ndeshjes, ndërsa bëhet me dije edhe emri i rrugëve që do bllokohen prej orës 15:00.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit ka hartuar plane të posaçme dhe të detajuara masash, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të 2 ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, konkretisht ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Çeki, më datë 16.11.2024, dhe ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Ukrainë, më datë 19.11.2024.

Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Çeki, konsistojnë te:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:

-Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n;

-Gardën e Republikës;

-Policinë Bashkiake;

-Shërbimin Zjarrfikës;

-Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);

-Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Çekisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 16 nëntor 2024, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

* Rruga “Papa Gjon Pali II”;

* Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Themistokli Gërmenji”;

* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe për qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë.

Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit