Transmetuar më 15-11-2024, 11:38

Matteo Gabbia, mbrojtësi i Milanit, foli për "SportMediaset", duke nisur nga problemi i tij muskulor: “Kam pasur një dëmtim që për fat të keq më mbajti larg fushave për disa kohë. Tani pothuajse jam gati të kthehem në skuadër dhe nga ky këndvështrim ndihem i lumtur".

A është Juventusi në fokusin tuaj?

Absolutisht që po. Objektivi ynë, i imi dhe i stafit mjekësor, është që të jem gati për ndeshjen kundër Juventusit. Pastaj, padyshim që trajneri do të vendosë se kush do të luajë.

Çfarë nuk funksionon në mekanizmat mbrojtës të Milanit?

Siç e them shpesh, në ndeshjet ku ndoshta vuajmë pak më shumë, mendoj se përgjegjësia është gjithmonë e skuadrës. Pra, në përgjithësi, dështimi nuk i duhet ngarkuar lojtarit individual, por punës totale të ekipit në fazën e mbrojtjes. Kësisoji, jam i sigurt se gjatë kësaj pauze do të përpiqemi të punojmë sa më mirë që t’i kufizojmë këto gabime.

Ndoshta nuk ka një Gabbia tjetër në skuadër, ka vetëm qendërmbrojtës të tjerë…

Mendoj se brenda skuadrës, e kam thënë edhe pas një ndeshjeje, kemi edhe qendërmbrojtës të tjerë shumë të mirë, të cilët janë shumë të kompletuar. Në çdo rast te Milani ka shumë konkurrencë. Në këtë rol padyshim që mundohem të bëj më të mirën.

A është rastësi që ky ekip lulëzon në ndeshje me një peshë specifike të dukshme?

Jo, nuk mendoj se është rastësi. Mendoj se asgjë nuk ndodh rastësisht, por se aftësitë tona janë shumë të larta. Jemi një ekip i fortë, i përbërë nga individë të mëdhenj, por duhet të përpiqemi të kemi vazhdimësi në të gjitha llojet e ndeshjeve.

Dukeni pak të vonuar në luftën për titull…

Natyrisht që nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi grumbulluar në kampionat, siç e kanë thënë tashmë shokët e mi të skuadrës, por edhe trajneri. Ne donim të kishim më shumë pikë në kampionat, por tani ajo që kemi bërë nuk mund të ndryshohet.

A besoni akoma te titulli?

Milani meriton të jetë një klub ambicioz, edhe ne duhet të jemi një ekip ambicioz. Siç thashë më parë, kemi lojtarë shumë të fortë, të vlefshëm. Rrjedhimisht mendoj se objektivat tanë duhet të jenë maksimalë. Pastaj, kjo varet shumë nga ne. Qëllimi kur të dalim në fushë është të fitojmë çdo ndeshje, pastaj do të kuptojmë se ku mund të arrijmë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit