Izraeli i kreu të enjten dy sulme ajrore në një lagje në perëndim të Damaskut dhe në periferi të kryeqytetit, duke i vrarë të paktën 15 njerëz dhe duke i plagosur 16 të tjerë, raportoi agjencia shtetëre e lajmeve e Sirisë.
Agjencia e lajmeve, SANA, tha se sulmet ajrore në lagjen Mazzeh në Damask dhe në periferi në veriperëndim të kryeqytetit, goditën dy ndërtesa.
Associated Press raportoi nga vendi i ngjarjes në Mazzeh se një ndërtesë pesëkatëshe u dëmtua pasi u godit nga një raketë.
Ushtria izraelite tha se i ka goditur qendrat komanduese dhe shënjestrat infrastrukturore të grupit militant, Xhihadi Islamik, në Siri, dhe se ka shkaktuar “dëme të mëdha ndaj qendrës komanduese të organizatës terroriste dhe operativëve të saj”.
Sulmet ajrore në Damask dhe në periferi të tij ndodhën pak para se Ali Larijani, këshilltari i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, pritej të takohej në kryeqytetin sirian me përfaqësues të fraksioneve palestineze në Ambasadën iraniane në Mazzeh. Ushtria izraelite deklaroi se Xhihadi Islamik kishte marrë pjesë, përkrah Hamasit, grupit militant palestinez në Rripin e Gazës, në sulmet e 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, që nxitën luftën e tanishme në Lindjen e Mesme.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria tha se “do të vazhdojë të veprojë kundër organizatës terroriste Xhihadi Islamik kudo që të jetë e nevojshme”.
Një zyrtar i grupit Xhihadi Islamik Palestinez tha se sulmi në Mazzeh kishte në shënjestër një nga zyrat e tyre dhe se disa anëtarë të grupit u vranë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, tha se mbrojtjet ajrore të vendit u aktivizuan kundër një “objektivi armiqësor” në jug të qytetit qendror të Homsit. Ajo nuk dha hollësi të tjera.
Teherani ka qenë mbështetësi kryesor i Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Asad, që nga një kryengritje në vitin 2011 që u shndërrua në luftë të plotë civile dhe ka luajtur rol vendimtar në kthimin e situatës në favor të tij. Irani ka dërguar dhjetëra këshilltarë ushtarakë dhe mijëra luftëtarë të mbështetur nga Teherani nga e gjithë Lindja e Mesme në Siri, për të luftuar në anën e Asadit.
Teherani ka qenë gjithashtu burim ekonomik për Asadin, duke e ndihmuar me karburant dhe kredi me vlerë miliarda dollarë.
Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në Siri duke vënë në shënjestër anëtarë të Hezbollahut dhe zyrtarë të grupeve të mbështetura nga Irani.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd