Një plumb i vetëm i mori jetën Eduart Reçit, që njihej si ndërtues i një pallati në zonën ku u vra, ndërsa 27 vjet më parë rezulton të ketë qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ Kombëtar.
Një kamera sigurie e shfaq Reçin teksa rrëzohet përtokë, dhe fillimisht në sallën operative u raportua për një burrë të gjakosur, që më pas u zbulua se kishte plagë në kokë nga një armë zjarri. Reçi u dërgua në spital, por qe e pamundur të shpëtohej. Dëshmitarët okularë nuk kanë parë asgjë. Familjarët insistojnë se nuk kanë patur konflikte . Krahas administrimit të dëshmisë së tyre, agjentë të shumtë krimesh kanë kontrolluar edhe në orët në vazhdim pallatet përreth, mbasi pavarësisht kamerave të shumta të sigurisë nuk janë gjurmë të të dyshuarve
Perimetri ku u gjet i rrëzuar Reçi vazhdon të jetë e rrethuar me shiritë të një skene krimi, mbasi vazhdon të konsiderohet një vendngjarje. Kjo sepse ekspertët e hetimit nuk e kanë të qartë se nga cila distancë u qëllua dhe me çfarë arme u shti në drejtim të tij.
Megjithëse e ka regjistruar çështjen për vrasje me paramendim, prokuroria nuk ka ende një pistë konkrete ndaj po kërkohet në të djeshmen e viktimës. Sidoqoftë Eduart Reçi rezulton të mos ketë patur probleme në të kaluarën. Nga provat e mbledhura paraprakisht është administruar një kallëzim i Reçit që kërkonte hetime për probleme pronësie dhe vetgjyqësie, por akuza ka shpallur pushimin e çështjes. E sigurt është për agjentët se qitësi ka qenë një profesionist, i cili e ka pritur shënjestrën e bashkë me të edhe momentin e duhur për ta vrarë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd