Transmetuar më 14-11-2024, 15:36

Tiranë, 14 nëntor, 2024 – Marka e karburanteve Shell do të hyjë në tregun shqiptar në vitin 2025, konfirmoi Shell Brands International AG (“Shell”), citon noa.al një deklaratë publike të kompanisë.

Ky njoftim vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Shell Brand Licensees Coral S.A., e cila operon që prej vitit 1926 në Greqi dhe Evropën Juglindore, Coral Albania Sh.a, e themeluar në vitin 2017 në Shqipëri, dhe kompanisë shqiptare Kastrati Group Sh.a.

Stacionet e para të furnizimt me karburant të markës Shell priten të hapen deri në fund të vitit 2025.

Rrjeti Shell thotë se do t’u ofrojë klientëve shqiptarë portofolin Shell të karburanteve me cilësi të lartë, lubrifikantët dhe shërbime te tjera.

Stacionet e karburantëve Shell në Shqipëri do të ofrojnë karburantet Shell V-Power, të cilat përmbajnë 99% të të njëjtëve përbërës që gjenden në karburantin V-Power të Shell që përdoren nga makinat e Scuderia Ferrari gjatë garave në pistë.

Drejtori i Përgjithshëm i Shell Albania, Ante Frens, deklaroi: “Ne mirëpresim çdo ditë miliona klientë në të gjithë botën në stacionet tona Shell për karburantet tona premium Shell V-Power dhe ofertat e shitjes me pakicë. Shpresojmë që klientët shqiptarë do të përjetojnë të njëjtën eksperiencë duke vizituar një stacion karburanti Shell që nga viti i ardhshëm.”

Menaxheri i Përgjithshëm i Coral Albania, Christos Ketsitzoglou, u shpreh: “Hapja e stacioneve të karburantit të markës Shell në Shqipëri, është pjesë e strategjisë sonë për të zgjeruar më tej operacionet tona në Evropën Juglindore. Ky bashkëpunim synon të sjellë një epokë të re për tregun e karburanteve me pakicë dhe shërbimet energjetike të vendit.” /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit