Transmetuar më 14-11-2024, 09:51

Komisioni hetimor parlamentar i Sterilizimit dhe Check-up është përfshirë nga debatet e forta në orët e para të së enjtes, megjithëse kjo kishte ndodhur disa herë edhe gjatë ditës së djeshme.

Ishte ora rreth 1:30 minuta pas mesnate kur Ina Zhupa po kërkonte që ish-ministri Beqja të rikthehej në burg pasi kishte kaluar afati se kur ishte marrë leja për të dhe të enjten të merrej një tjetër leje dhe ai të paraqitej sërish.

Por në këtë moment, krejt papritur, në komision ka hyrë ish-ministri Beqja, i cili shihet të debatojë me Zhupën, por pa u dëgjuar se çfarë i ka thënë për shkak se nuk kishte mikrofon.

Sipas deputetes demokrate, Beqja e kërcënoi në mes të komisionit.

Kaq shërbeu që deputetët e PD-së ta konsideronin këtë skandalin e skandaleve dhe kryetarja e Komisionit Albana Vokshi ndërpreu mbledhjen për t’i kërkuar Policisë së Burgjeve ta rikthenin në qeli ish-ministrin.

Debati

Ina Zhupa: Ilir Beqja tani duhet të shkojë atje ku ka vendin, ne të vazhdojmë diskutimet këtu. Ky komision nuk mund të bjerë peng i telefonatave të Ndrecës, që kam folur unë dhe kam marrë leje. Ju zonja kryetare mbani përgjegjësi sepse ju çoni shkresat. Nëse këta duan të bëjnë shou dhe ti japin një natë liri Beqjes, më vjen shumë keq. Sot është data 14 nëntor, leja që keni marrë për Beqjen është për 13 nëntorin.

Beqja hyn në Komision dhe i drejtohet Zhupës por nuk dëgjohet për shkak se nuk ka mikrofon

Zhupa: Kush je që hyn këtu?

Vokshi: Kush je ti mo, kush je ti.

Beqja del nga komisioni

Zhupa: A e kuptoni si e keni kthyer këtë komision?

Zheni Gjergji: Ti shko aty ku e ke vendin.

Vokshi: Policia urgjent të kthejë Ilir Beqjen në selinë e burgut tani.

Zhupa: Ai zotëria atje vjen dhe kërcënon deputetët.

Vokshi: Sekretaria, mos më rrini tani, njoftoni. Joana çfarë po pret? Ke pret Joana (i drejtohet sekretares). Shkoni thojini tani urgjent, ta marrin, ta fusin në furgon dhe ta kthejnë.

Plarent Ndreca: Nuk bëhet kështu kjo.

Zhupa: Bëhet bëhet, se nuk hyn ai atje të na kërcënojë ne çfarë do themi.

Vokshi: Joana a mund të çohesh ti thuash atyre?

Spaho: Zonja kryetare, ndërprisni mbledhjen, shkoni thojini ju atij të policisë që ta marrë urgjent në burg dhe të kërkohet masë edhe për gangsterit avokat që hyri këtu si trim. Të merret masë edhe punonjësit e gardës që e kanë lejuar.

Vokshi ndërpret mbledhjen dhe del të komunikojë me efektivët e policisë.

Vokshi: Ai person që erdhi nga policia e burgjeve bredh i lirë në të gjitha ambientet, ka futur ujë, ka futur drunj dhe mjete të forta dhe është lejuar. Edhe në këtë orë (1.37 e mëngjesit) shkon ku të dojë, futet në këtë sallë i pautorizuar, lejohet nga policia dhe garda dhe kërcënon. Policia e burgut duhet të marrë masa. Garda duhet të marrë masa për atë djalin aty që e la të hynte.

Spaho: Zonja kryetare porosisni punonjësit e Kuvendit që të mos eleminojnë pamjet filmike kur ai hyri dhe kërcënoi deputetët.

Vokshi: Tju vijë turp, të të vijë turp ty (i drejtohet Ilir Metajt), dhe kujdes se po e tepron. Ai mendon se është i lirë, por ka ca si ju këtu. Të futet Beqja dhe të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal i skandaleve.

Ilir Metaj: Fol me respekt, fol me respekt.

Vokshi: Unë respekt? Ca do bësh, po kërcënon?

Ilir Metaj: Ty s’kam çfarë të bëj…

Vokshi: Çfarë kujtoni ju mo? Ik merrni një dajre në dorë dhe një fyell.

Ilir Metaj: Ti nuk je koshiente çfarë flet.

Ina Zhupa: Ju guxoni ta lini Beqjen të livadhisë dhe hyn këtu e kërcënon deputetët vetëm se s’ka kamera. Po ne kemi celularët zotëri.

Vokshi: Sekretaria nuk guxon, vajta vetë dhe i thashë personelit të policisë së burgjeve që ta largonte urgjentisht nga ambientet e kuvendit. Për çfarë po rrimë më ne këtu? Çfarë duhet të ndodhë tjetër? Nuk besoj që mund ta vazhdojmë më këtë mbledhje, e konsideroj të mbyllur mbledhjen e sotme. Nesër do ftoj kryesinë e Komisionit që të mblidhemi, të bëjmë shkresat përkatëse që tua dërgojmë gjithë institucioneve që t’u dëshmojmë bashkë me videon, skandalin më të madh që ka ndodhur. Mbledhje më këtu nuk vazhdohet.

Ndreca: Zonja kryetare e Komisionit mbledhjen nuk mund ta mbyllni ju.

Vokshi: Mbledhja është e mbyllur.

(Ndërpritet sinjali në facebook)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit