SPAK ka shpallur sot pretencën ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako duke kërkuar dënimin me 4 vite burg për shpërdorim detyre.
Në seancë është i pranishëm avokati i tij mbrojtës, ndërkohë që mungon Dako. Nuk janë të pranishëm edhe Shyqyri Farruku, Ardian Bulku.
Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kërkoi e seanca të vijojë pa praninë e të akuzuarve. Prokurori tha se hetimi nisi në 2020 për shpërdorim detyre dhe bashkë me këtë çështje u bashkua dhe një hetim tjetër mbi procedurën e prokurimit për Promanade.
Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.
Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.
Dako u la në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me vendim të gjyqtares Flojera Davidhi.
Më herët, Gjykata e Posaçme shpalli moskompetencë për shtetasit Ferzilet Hajdëri, Adnand Toccila, Diana Dedja, Bashkim Salillari dhe Hanza Reka, të cilët kërkuan gjykim të zakonshëm dhe që të ndahej ccështja nga Vangjush Dako.
Gjyqtarja Elsa Ulliri vendosi kalimin e dosjes në ngarkim të këtyre personave në Gjykatën e Durrësit, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar ccështjen ndaj tyre, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd