Pensionistët dhe aktivistë të "Lëvizja Bashkë" janë mbledhur sërish për të tubuar para Kryeministrisë për të kërkuar rritjen e pensioneve.
Me pankarta në duar, të cilat lexonin: “Punë një jetë, pensioni në dietë” apo “Hiqni dorë nga korrupsioni të na rritet pensioni”, të moshuarit kërkuan edhe njëherë rritjen e pagës mujore që ata marrin.
Edhe njëherë kanë llogaritur se pensionet që marrin nuk u dalin për ushqimet dhe për ilaçe, kështu që në këto kushte kërkojnë vëmendje të shtuar nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ndërkohë takime qytet më qytet me qytetarët duke komentuar skemën e pensioneve.
Rama fajëson skemën e mëparshme, duke thënë se deri në 2013 ishte vendosur një tavan që pensioni mos ishte më i madh se 240 mijë lekë të vjetra.
Po ashtu, "fajëson" edhe bizneset që nuk bëjnë deklarimin e plotë të pagave të punonjësve duke krijuar një hendek në buxhet.
Ndërkohë "Lëvizja Bashkë" kërkon që pensioni minimal të jetë 200 euro.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd