KOSOVA- Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025 shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës. Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor. Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh. Në ditën e miratimit në Qeveri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë katër vjetëve të qeverisjes së partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, buxheti i Kosovës është rritur “vit pas viti si asnjëherë më parë”.
Projektbuxheti parasheh rritje gati në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, por më së shumti në subvencione dhe transfere. Këto janë fonde të siguruara nga shteti për të ndihmuar kompani, persona fizikë ose sektorë të veçantë të ekonomisë, si p.sh. bujqësia. Kategoria për shpenzime kapitale do të ketë, po ashtu, rritje për 71 milionë euro, krahasuar me buxhetin e këtij viti.
Rritje, krahasuar me këtë vit, do të ketë edhe kategoria për paga dhe shtesa për 111 milionë euro. Në këtë kategori, ky veprim u mor për të mbuluar rritjen e pagave dhe të pensioneve. Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i rritur pagat për rreth 90 mijë punëtorët e sektorit publik – për 55 euro nga muaji janar dhe për 55 euro të tjera nga korriku i vitit të ardhshëm.
Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës mori vendim edhe për rritjen e pensioneve për 20 për qind. Rritje të buxhetit, vitin e ardhshëm, do të kenë edhe disa nga institucionet qendrore të shtetit, përfshirë ato në sektorin e mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe infrastrukturës rrugore.
Mes tjerash, të dhënat tregojnë se buxheti i Ministrisë së Financave do të jetë më i larti, i Ministrisë së Mbrojtjes do të rritet për më shumë se 54 milionë euro krahasuar me këtë vit, ndërsa i Ministrisë së Infrastrukturës për rreth 47 milionë.
Në Projektbuxhetin për vitin 2025 thuhet se gjatë vitit aktual ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 4.5 për qind, duke vazhduar trendin e rritjes edhe vitin e ardhshëm, përkatësisht për 5.6 për qind. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë vitit 2025 thuhet se do të vijë nga konsumi privat, investimet private dhe publike, por edhe nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve.
Buxheti i Kosovës zakonisht mbushet nga të hyrat e Doganës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës. Shqyrtimi i sotëm është i pari në Kuvendin e Kosovës. Projektbuxheti duhet të dalë edhe në shqyrtim të dytë, ndërsa në raste të caktuara del edhe në të tretin. Ai duhet të miratohet më së largu deri në fund të këtij viti./ REL
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd