Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar fitoren e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale përballë Kamala Harris.
I ftuar në lidhje direkte për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Berisha i pyetur nëse me fitoren e Trump do hiqet nga SHBA “non grata“ ai tha se tani do të shikojmë një Amerikë të vlerave dhe jo “një Amerikë si ajo e Dumanëve dhe e Ramës”.
“Shpresa është tjetërkund. Do shikojmë një Amerikë të vlerave dhe jo një Amerikë të Dumanëve, të Edi Ramës që mbështet narko-shtetin. Një nga aktet më të rënda në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve është korruptimi i McGonigal nga Edi Rama. Një ditë para gjyqit në Shqipëri vinte sekretari i Shtetit dhe u thoshte shqiptarëve se Edi Rama është i shkëlqyer ndërkohë që të nesërmen kishte gjyqin në Uashington. Pati një devijim madhor nga vlerat universale që popujt dhe njerëzit e lirë ndajnë me njëri tjetrin”, tha Berisha.
I pyetur nëse pret që të hiqet masa “non grata” ndaj tij, ish-kryeministri Berisha tha:
“Unë do e prisja nga cilido që do zgjidhej, pasi ky ishte një grusht shteti. Në doktrinën politike ajo që u bë ndaj opozitës shqiptare ishte grusht shteti brenda shtetit në një vend partner”.
Berisha tha gjithashtu se Partia Demokratike do bëjë kërkesë në Komisionin e Venecias të rishqyrtojë tërësisht reformën në drejtësi në Shqipëri, në mënyrë që sipas tij “t’i jepet fund batërdisë”.
“Partia Demokratike ka në plan pa diskutim angazhimin e komisionit të Venecias për rishqyrtim tërësor të kësaj batërdie e cila në fund të fundit u mohoi qytetarëve shqiptarë të drejtën e një procesi ligjor të drejtë e të duhur. Ajo asgjësoi sigurinë ligjore, shtyllën kryesore të shtetit ligjor dhe krijoi monstruozitetin më politik në akt-akuzë të njëjtë siç ka ekzistuar gjatë diktaturës”, tha Berisha.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd