Arben Çuko do të jetë Prefekti i ri i Qarkut të Fierit. Ish-deputeti i Partisë Socialiste zëvendëson në këtë detyrë Mbarime Isufajn, e cila kishte më pak se katër muaj që ishte emëruar në këtë post.
Çuko ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, komandant i Gardës së Republikës, këshilltar i presidentit të Kosovës për sigurinë dhe prej Qershorit 2023 është këshilltar i ministrit tw Drejtwsisw, Ulsi Manja.
Arben Çuko ka qenë deputet i Partisë Socialiste për Lushnjen, prej vitit 2009 dhe në vitin 2017 dha dorëheqjen, për t’u emëruar në krye të drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë periudhë ai u akuzua se kishte kryer korrupsion pasiv.
Arben Çuko u akuzua se kishte marrë ryshfet nga vrasësi me pagesë, Olsi Karagjozi, për ta transferuar në një burg tjetër. Por pasi Çuko nuk e ka bërë një gjë të tillë, ka qenë pikërisht Karagjozi që e ka denoncuar. Ky i fundit është dënuar për atentat ndaj 5 biznesmenëve.
Tashmë, socialistët kanë vendosur që ta rikthejnë sërish Arben Çukon duke i besuar drejtimin e qarkut të cilin e përfaqësoi në dy mandate në Kuvendin e Shqipërisë.
Në vitin 2020, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë përfundimisht çështjen ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko. Më herët, akuza ndaj tij u zbut nga Gjykata e Krimeve të Rënda nga “korrupsion i zyrtarëve të lartë” në “moskallëzim krimi”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd