Jozefina Topalli e cila për 17 vite ka qenë nënkryetare e Partisë Demokratike, do të drejtojë punën e opozitës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët votojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Kryetari i PD Sali Berisha vendosi ti besojë Topallit votën e diaspores duke e bërë drejtuese politike.
Topalli u kthye në Partinë Demokratike pas shkarkimit të Lulzim Bashës në 30 prillin e vitit 2022 dhe në zgjedhjet lokale të 14 majit ishte drejtuese politike në Lezhë.
Ndërkaq Berisha ka vendosur që Qarkun e Elbasanit t’ia besojë Tomorr Alizotit, i cili zëvendëson Ervin Salianjin që ndodhet në burg i dënuar për kallëzim të rremë.
Zonën e Kavajës dhe Rrogozhines do ta mbulojë Fisnik Qosja i cili fitoi bashkinë e Kavajës një vit më parë.
Me këto vendime Partia Demokratike mbyll listën e drejtuesve politikë të cilët do të jenë në pjesën e mbyllur të listës, e praktikisht deputetë të sigurt në zgjedhjet e ardhshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd