Versioni klasik i lojës Tetris për Nintendo, është publikuar në 1985 dhe ka arritur një sukses të shquar, me 520 milionë kopje të shitura në të gjithë botën.
Objektivi i lojës është të ndalë grumbullimin e formave gjeometrike (blloqeve) në rënie duke i rrotulluar dhe duke i vendosur ato në vija të drejta.
Në teori loja mund të vijojë pafund ngaqë nuk ka ekran fundor. Megjithatë shpejtësia rritëse e blloqeve që bien i bën lojtarët të bëjnë gabime dhe asnjëherë mos të fitojnë.
Por 35 vite pas daljes së lojës, është 13 vjeçari Willis Gibson ai që ka vërtetuar se është e mundur ta mundësh lojën Tetris.
Gibson shkoi aq para në lojë sa e “prishi” atë. Në nivelin 157 loja u dorëzua dhe ngriu. Dhe gjëja me mbresëlënëse ishte që lojtarit të vogël të video lojërave, i njohur me nofkën “Blue Scuti”, iu deshën vetëm 38 minuta për të arritur suksesin.
Para kësaj Tetrisi kishte humbur vetëm përballë inteligjencës artificiale. Por asnjë njeri nuk ia kishte dalë dot.
“Ajo që ndodhi ishte se programuesit e lojës nuk kishin parashikuar që ndonjë lojtar do të arrinte ato nivele. Për këtë arsye loja nisi të çakordohet dhe në një farë pike ndaloi,” – shpjegoi Gibson.
Fitorja e 13 vjetarit mori dhe vëmendjen e krijuesit të lojës. “Përgëzime ‘Blue Scuti’ për arritjen tënde të jashtëzakonshme, një arritje që sfidon të gjithë kufijtë e paramenduar të kësaj loje legjendare,” tha CEO e Tetris, Maya Rogers në një deklaratë.
Gibson nisi të luajë Tetris në moshën 11 vjeç dhe shumë shpejt u bë një lojtar profesionist dhe konkurrues.
Tetorin e kaluar, gjeniu i vogël doli në vend të tretë në Botërorin Klasik të Tetrisit.
Ndërsa fitorja e tij po shkon në librin e rekordeve, 13 vjeçari nuk po fle mbi dafina. Ai po vazhdon përgatitjet për turneun e radhës. Sfida të reja janë përpara! /er.do./
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd