Transmetuar më 03-11-2024, 12:48

TIRANË- Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Genta Vangjeli në një deklaratë për mediat, thotë se ARRSH ka shpallur 6 procedura për projektin Elbasan-Lesaj, pjesë e Korridorit VIII, që sipas saj janë tendera me kushte për të paracaktuar fituesin.

Zëdhënësja Antikurrupsion e PD, Vangjeli tha se vlera limit e gjashtë procedurave në total llogaritet në rreth 150 mln euro. Vangjeli thotë se zyrtarët e AK janë duke konsumuar veprat penale, të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, prandaj kërkon hetimin nga SPAK.

Deklarata nga zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli:

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur në sistemin e prokurimeve gjashtë procedura që lidhen me projektin Elbasan-Lekaj, pjesë e Korridorit VIII.

Vlera limit e gjashtë procedurave në total llogaritet në rreth 150 mln euro, të ndara në segmente rrugore si më poshtë:

“Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Paperr Faza I” (3.5km)

“Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Paperr Faza II” (3 km)

“Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Paperr Faza III” (2.4 km)

“Ndërtim aksi rrugor Paperr – Ura e Grykshit, Faza I” (3.5km)

“Ndërtim aksi rrugor Paperr – Ura e Grykshit, Faza II” (3 km)

“Ndërtim aksi rrugor Paperr – Ura e Grykshit, Faza III” (3.25km)

Gjatësia e aksit të rrugës së publikuar në këto 6 procedura është më pak se 19 km, pra km është përllogaritur me vlerë 9.4 milion euro me tvsh.

Dokumentet përkatëse për këto procedura prokurimi janë hartuar në shkelje të hapur të ligjit 162/2020 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe VKM-së nr. 285, datë 19.05.2021 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik” (i ndryshuar), duke krijuar kushte për të paracaktuar fituesit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit