Transmetuar më 31-10-2024, 08:16

Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, në fakt u “njollos” qysh kur u spostua për t’u luajtur në “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Tirana vazhdon të endet si “çifuti në shkretëtirë” në ndeshjet si pritëse, pasi nuk ka stadium të vetin, që plotëson kushtet. Megjithatë, “njollosja” e kësaj ndeshjeje, e cila përfundoi me fitoren 4-3 të shkodranëve, vazhdoi me ndërprerjen e saj për shumë minuta.

Shkak për këtë u bënë lëndimet e dy lojtarëve të Vllaznisë, pranë të cilëve shpërthyen mjete piroteknike të hedhura nga tifozët bardheblu. Lidhur me këtë incident të rëndë ka reaguar klubi kuqeblu, duke kërkuar marrjen e masave të ashpra nag autoritetet përkatëse:

“Klubi i Futbollit Vllaznia shpreh indinjatën e tij më të thellë në lidhje me rastin e paprecedentë të ndodhur ndonjëherë në kampionatin shqiptar, atë gjatë ndeshjes Tirana-Vllaznia, e luajtur në stadiumin ‘Roza Haxhiu’ të qytetit të Lushnjës, ku jeta dhe shëndeti i futbollistëve tanë u rrezikua seriozisht.

Në minutën e 66-të, pas shënimit të golit të katërt, kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-4 në favorin e ekipit tonë, ndërkohë që të gjithë lojtarët e Vllaznisë po festonin brenda fushës së blertë, një lëndë plasëse e fuqishme, e hedhur nga grupi i tifozërisë së Tiranës, shpërtheu në fushën e blertë, përpara këmbëve të lojtarëve, duke i përplasur fuqishëm në tokë disa prej tyre. Fatkeqësisht, aty fusha e blertë ngjante më tepër me një skenë lufte sesa me një ambient sportiv.

Për shkak të këtij shpërthimi, njëri nga lojtarët e Vllaznisë, i plagosur më rëndë, u detyrua të lërë fushën e lojës dhe të dërgohej menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Sipas raportit të mjekëve të urgjencës së spitalit rezultoi se ai kishte pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe ekuilibrit. Ndërkohë, lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës, pësuan turbullime të dukshme të shikimit dhe të dëgjimit.

Pas këtij momenti të shëmtuar, ku u lëndua shëndeti i futbollistëve kuqeblu, nuk mund të kishte më lojë futbolli. Përtej vendosmërisë së stafit teknik dhe lojtarëve për të respektuar drejtuesit e garës, mbetet i pakuptimtë vendimi i tyre për vazhdimin e ndeshjes.

Klubi i Futbollit Vllaznia kërkon me forcë nga organet e rendit dhe Policisë së Shtetit të marrin sa më parë të gjitha masat për identifikimin dhe ndalimin e autorëve, të cilët kanë konsumuar një vepër penale të tipit ‘akt terrorist’, e cila ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e lojtarëve në fushë.

Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit që të marrë menjëherë të gjitha masat më të ashpra për të dënuar çdo sjellje dhe veprim, i cili nuk ka lidhje me misionin e sportit. Të veprojë me forcë ndaj të gjithë përgjegjësve”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit