Transmetuar më 30-10-2024, 19:33

Një delegacion i Parlamentit Europian ndodhet në Tiranë nga e hëna, ku ditën e djeshme ka kryer takime me një grup të deputetëve të PD-së

I pranishëm në takim ishte dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Gjatë fjalës së tij ai ka paralajmëruar një hetim të SPAK, ku deklaroi se është përfshirë edhe një ministër i qeverisë së Ramës.

Sipas tij në faqen 7 të vendimit nr.87 të Gjykatës së Posaçme del se ministri i Ramës ka ndërhyrë në prokurori dhe në polici për të çliruar pasuritë e sekuestruara të një grupi kriminal në Elbasan.

“Kam këtu një tjetër dosje të SPAK, nga e cila rezulton se një deputet dhe ministër në detyrë i Edi Ramës ka ndërhyrë në Prokurori dhe Polici për të çliruar pasuritë e sekuestruara të një grupi kriminal në Elbasan. Mjafton të lexoni 7 faqe të vendimit nr. 87, datë 28 korrik 2024 të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për ta kuptuar se kjo që po them është e vërteta. Ne do të presim edhe disa ditë që Prokuroria të veprojë, dhe më pas ne kemi për detyrë që publikut dhe miqve tanë ndërkombëtarë t’ua themi të vërtetën, nëse këtë nuk bën prokuroria”, mësohet të ketë thënë Bardhi në takim.

Ende është e paqartë se për kë politikan bëhet fjalë, por një burim tha për Lapsi.al se ndërhyrja për bandën e Elbasanit është bërë gjatë kohës kur nisi operacioni OFL në vitin 2020.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit