Transmetuar më 30-10-2024, 16:39

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën pasditen e sotme, ku nga raportimet e para dyshohet se kanë mbetur të vrarë me armë zjarri të paktën 2 persona dhe dy të tjerë janë rëndë.

Nga informacionet paraprake, mësohet se dy makina që kanë qenë në lëvizje kanë hapur zjarr ndaj njëra-tjetrës.

Ndërkohë, një prej mjeteve, me targa kroate është përplasur më pas me një mur.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe 5 ambulanca.

Çfarë thotë policia për masakrën sot në Shkodër

Policia e Shkodrës doli me një deklaratë publike mbi masakrën që ndodhi sot rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në në rrethrrotullimin “5 Heronjtë e Vigut” në zonën e Dobraçit.

Sipas saj është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit Hamza Liçi dhe Arlind Bushati.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën Liçi dhe është plagosur rëndë Bushati.

Shkëmbimet me armë zjarri dyshohet se kishin si objektiv parësor shtetasit Hamza Liçi dhe Arlind Bushati.

Në precipitim të ngjarjes, automjeti që udhëtonin Hamza Liçi dhe Arlind Bushati, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte Bashkim Basha dhe bashkëshortja e tij, Flutura Basha.

Si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë Flutura dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital Bashkimi.

Dy bashkëshortët, kalimtarë të rastit, po lëviznin me motor, kur mjeti i tyre u përplas nga makina e shtetasve më sipër. Gruaja nuk arriti të mbijetojë, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit