Inter Miami është skuadra e 31-të që kualifikohet në Kupën e Botës për Klube 2025, madje do ta hapë siparin e kompeticionit në stadiumin “Hard Rock” në Miami, të dielën e 15 qershorit 2025. Skuadra e Floridas mori ftesën zyrtare nga FIFA si përfaqësuese e vendit që do të presë ngjarjen e madhe futbollistike.
Me kapiten Lionel Messin, skuadra e Miami theu rekordin e të gjitha kohërave në MLS për më shumë pikë në një sezon të vetëm, duke përfunduar me 74 pikë, rezultat i 22 fitoreve dhe 8 barazimeve, përkundrejt vetëm 4 humbjeve. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e bëri të ditur lajmin gjatë një feste për tifozët dhe ekipin, pas ndeshjes së fundit të skuadrës amerikane në sezonin e rregullt:
"Të gjithë e dimë se sa shumë e do futbollin Miami dhe sa shumë përkrahet Inter Miami nga e gjithë Florida, madje dhe më gjerë. Urime për suksesin tuaj në vitin 2024! Ju keni vërtetuar se jeni vazhdimisht klubi më i mirë në SHBA.
Prandaj, jam krenar të njoftoj se, si një nga klubet më të mira në botë, ju jeni të denjë të merrni pjesë në Kupën e re të Botës për Klube 2025, si klubi pritës që përfaqëson SHBA. Sigurisht që do të jetë një festë e madhe për futbollin global të klubeve, pasi turneu përfshin 32 më të mirët në botë. Ky kompeticion i ri ofron një mundësi të re për klubet, lojtarët, trajnerët dhe tifozët, që t’i tregojnë historitë e tyre mbarë botës".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd